Një i dënuar me burg e një me aktakuzë - anëtarë të kryesisë së re të PDK-së

Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur sot kryesinë e re.

Kryesia e re e PDK-së ka 27 anëtarë.

Në mesin e tyre janë edhe një i dënuar me burg dhe një tjetër i dënuar nga shkalla e parë.

Ish-kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i zgjedhur sonte anëtar i kryesisë së PDK-së, në shkurt të këtij viti ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Klinës për mosdeklarim të pasurisë.

Bashota ishte dënuar me burgim me kusht prej 6 muajsh me afat verifikimi prej 1 viti, si dhe me 1,200 euro gjobë.

Rasti ndaj Bashotës është në procedurë në Gjykatën e Apelit, ku Prokuroria dhe mbrojtja kanë ushtruar ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Themelore.

Sipas aktakuzës, Sokol Bashota, akuzohet se nuk i ka deklaruar fare veturën “BMW X5”, në vlerë prej 65 mijë euro dhe as banesën prej 79 metra katrorë në Prishtinë, edhe pse e ka pasur për detyrë ta bënte një gjë të tillë.

Bashota po ashtu akuzohet se nuk i ka deklaruar as veturën “Jeep” dhe as të ardhurat vjetore 3.000 euro nga qiraja e banesës.

Në anën tjetër, ish-kryetari i Drenasit, Nexhat Demaku, ishte dënuar nga Gjykata e Mitrovicës me 3 vjet burg në rastin e njohur si “Drenica 2”.

Demaku akuzohej për keqtrajtim të të ndaluarve gjatë luftës në Likovc.

Nexhat Demaku e ka vuajtur dënimin dhe është liruar nga burgu para disa muajsh.

Në lidhje me zgjedhjen e Bashotës e Demakut në kryesinë e re të PDK-së sot foli kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi.

“Nëse e keni fjalën për z. Demaku dhe dënimin e tij, për çështjen “Drenica”, qëndrimet e PDK-së kanë qenë të qarta sa i përket asaj pune dhe ajo tashmë është çështje e përfunduar, ai i është rikthyer politikës. Nuk besoj se është e drejtë që këtë përbërje ku ka njerëz të jashtëzakonshëm që e kanë dëshmuar qoftë në PDK qoftë jashtë PDK-së që janë më përgatitje superiore…me i mundu me i zbehë. Edhe për z. Bashota e kam dhënë përgjigjen në kandidimin e tij në Klinë, por kjo reformë, sa e ka filluar sot”, tha Memli Krasniqi.

Këta janë 27 anëtarët e kryesisë së re të PDK-së

www.kallxo.com