Një i arrestuar për të shtëna me armë zjarri në Bërnicë të Prishtinës

Policia e Kosovës, pas një punë intensive hetimore, sot ka identifikuar dy persona meshkuj kosovarë të moshës 17 dhe 18-vjeçar, të përfshirë në rastin e shtënave me armë më 3 tetor në Bërnicë të Poshtme të Prishtinës, njëri prej të cilëve është dërguar për mbajtje 48 orë.

Në një komunikatë për media thuhet se në bazë të hetimeve paraprake, dy të dyshuarit kanë qenë duke ngarë biçikletat dhe në afërsi të shkollës fillore kanë hasur në një grup personash me të cilët kanë pasur një zënkë të çastit.

Pala ankuese dyshohet se kanë ekspozuar mjete të mprehta thika, kurse njëri nga të dyshuarit ka ekspozuar një armë – pistoletë.

Të dyshuarit janë larguar nga aty dhe dyshohet se në largim e sipër dyshohet se kanë shtënë një herë me armë në ajër.

Policia bën me dije se nga rezultatet e hetimeve të deritanishme, nuk kanë pasur probleme të mëhershme mes personave të përfshirë në rast dhe se incidenti ka qenë një mosmarrëveshje e çastit.

Pas intervistimit të dy personave të përfshirë në rast, me aktvendim të prokurorit, njëri i dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa arma e zjarrit është konfiskuar.

Ndryshe, Policia e Kosovës në mbrëmjen kur ka ndodhur rasti, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme, duke intervistuar në cilësinë e ankuesit dy persona, meshkuj kosovarë, të moshës 19 dhe 20-vjeçare.