
Një i arrestuar e dy të intervistuar për "dhunë në familje" në 24 orët e fundit
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tri raste të dhunës në familje dhe një rast i kanosjes janë raportuar në 24 orët e fundit.
Sipas Policisë, një person është dërguar në mbajtje dhe dy të tjerë janë liruar me procedurë të rregullt pas intervistimit.
Këto raste të dhunës, sipas Policisë, kanë ndodhur në Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Pejë.
Në Ferizaj, Policia njoftoi se është arrestuar një person, pasi nën ndikimin e alkoolit e kishte sulmuar fizikisht të dashurën e tij, shtetase e huaj.
“ Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.” – bëri të ditur Policia.
Në një rast tjetër në Fushë Kosovë, Policia tha se një grua ka pësuar lëndime pas një mosmarrëveshjeje që kishte me të dyshuarin.
“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, përderisa lidhur me rastin është informuar edhe Prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.” – njoftoi Policia.
Kurse në Pejë, sipas Policisë, një grua kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga një burrë. Sipas Policisë i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me Prokurorin, është liruar me procedurë të rregullt.
Ndërkaq, në Lipjan një grua ka raportuar se ajo dhe bashkëshorti i saj janë kanosur nga një i dyshuar.
Lidhur me rastin, Policia ka intervistuar të dyshuarin dhe i njëjti në konsultim me Prokurorin është liruar.