Bardh Krasniqi dhe Përparim Rama
Një herë drejtor e përsëdyti kryeshef
Bardh Krasniqi i cili deri në korrik të këtij viti ishte drejtor i Sportit në kryeqytet, tash është emëruar kryeshef i Ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”. Krasniqi, në fakt është i ‘familjarizuar’ me këtë zyre e pozitë.
Për rreth 15 muaj, ai ka qenë kryeshef i Ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”, derisa më 22.02.2024, Përparim Rama e prezantoi si drejtor të ri të Sportit, pas prishjes së koalicionit me PDK-në.
Si drejtor i Sportit, Krasniqi qëndroi vetëm rreth pesë muaj. Më 15.07.2024, Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama kumtuan se ekipit të tij i janë bashkuar Valbona Vitija-Ajeti dhe Kushtrim Mushica për të udhëhequr punën në drejtoritë e administratës, përkatësisht të sportit.
Ndërsa, për Bardh Krasniqi u tha se “do të vazhdojë punën me një rol të rëndësishëm në strukturat planifikuese dhe organizative të Lojrave Mesdhetare 2030″.
Sipas vendimit të Ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing” të datës 07.08.2024, Krasniqi është përzgjedhur si kandidati më i suksesshëm për pozitën e kryeshefit.
Konkursi për këtë pozitë është shpallur më 08.07.2024.
Lidhur më këtë çështje KALLXO.com ka kontaktuar me Bardh Krasniqin.
“Po unë jam zgjedh. Jam në grup punues që punon në master plan të Lojërave Olimpike, në logjistikë, infrastrukturë… Kam me vazhdu edhe aty, nuk është pozitë ajo… Po, për pozitën për kryeshef kanë apliku edhe tjerë, se di saktë veçse unë kam qenë i katërti me rend për intervistë” – ka thënë ai.
Ndërsa i pyetur se përse ka vendosur që të garojë prapë për këtë pozitë, ai tha se “nuk ka arsye që mos të vazhdojë kontributin e tij në këtë institucion”.
“E pse mos me vendos me garu?! Nuk kam arsye… E kam lënë njëherë për me kontribu me një pozitë tjetër, edhe po besoj që është legjitime me vazhdu punën ku e kam lënë” – tha Krasniqi.
Hera e parë si kryeshef dhe interpretimi ligjor
Më 01.11.2022, KALLXO.com raportoi hulumtimin se Bardh Krasniqi, ish-këshilltar i Përparim Ramës dhe ish-kandidat për asamble në Komunën e Prishtinës nga radhët e LDK-së, është zgjedhur kryeshef i ndërmarrjes publike lokale “Sport Marketing”.
Bardh Krasniqi është zgjedhur përmes konkursit, ndërsa në rezultatet e publikuara më 27 tetor 2022 nga bordi i kësaj ndërmarrjeje thuhet se i njëjti ka marrë 37 pikë, duke u renditur i pari.
Por, hulumtimi ka shfaqë edhe një interpretim të bërë nga Zyra e Kryeministrit me rastin e Blerand Stavilecit, ku Ligji për ndërmarrjet Publike thotë se edhe kryeshefi i një ndërmarrjeje publike duhet të jetë politikisht i pavarur- pra në 36 muajt e fundit nuk duhet të jetë pjesë e politikës.
Në rastin e tij, Bardh Krasniqi kishte thënë për KALLXO.com se nuk ka pranuar ndonjë interpretim ligjor që ia ndalon atij të kandidojë dhe mbajë pozitën e kryeshefit në ndërmarrje publike.
“Nuk jam fort ekspert i ligjit. Ndërmarrja publike e ka një bord të drejtorëve, një zyre ligjore, është dashur po besoj ata me bë atë farë analize”- kishte thënë Bardh Krasniqi për KALLXO.com në 2022-en.
Zgjedhja e Bardh Krasniqit në krye të “Sport Marketing” është bërë në kundërshtim më praktikën e instaluar nga bordi i Koroporatës Energjetike të Kosovës me rastin e eliminimit të Blerand Stavilecit nga gara për kryeshef të kësaj kompanie për shkak të së kaluarës së tij.
Asokohe ishte kërkuar një interpretim i Ligjit për Ndërmarrjet Publike nga Zyra e Kryeministrit dhe Ministria për Zhvillim Ekonomik pati nxjerrë një interpretim nëse në krye të ndërmarrjeve lejohen të zgjidhen personat me të kaluar politike.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik përmes Zyrës së Kryeministrit kishte thënë se kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jetë i pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike.
Pra, asnjë person që në 36 muajt e fundit ka pasur poste politike në institucione apo në parti politike nuk mund të zgjidhet në krye të menaxhmentit të një ndërmarrjeje publike.
“Në përmbledhje dhe në bazë të dispozitave të legjiscalionit në fuqi për ndërrmarje publike, konsiderojmë se bordi i drejtorëve të KEK-ut, me rastin e përzgjedhejs së kryeshefit ekzkeutiv, duhet të veprojë bazuar në neni 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili ekzluzivisht ka të bëjë më zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të NP-së i cili sqaron se personi që është ose në çfarëdo kohe, gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartësi i një posti udhëheqës ose vendimarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet kryeshef ekzekutiv i ndërmarjes publike”- thuhet në interpretimin e MZHE-së të lëshuar përmes Zyrës së Kryeministrit.