Një hap më afër Këshillit të Evropës, edhe sa hapa deri në fund?

Kosova dje ka bërë një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës, kjo pasi që Komiteti i Ministrave mori vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës aplikimin e Kosovës për anëtarësim.

Lajmin për këtë e dha ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e cila tha që ky është një hap historik.

“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë. Mbetet edhe shumë punë për të bërë. Procesi i anëtarësimit është i gjatë dhe plot sfida”.

E para e vendit, presidentja Vjosa Osmani, tha që ky moment është i rëndësishëm edhe për Evropën.

“Ky është një hap përpara për Kosovën dhe qytetarët e saj, jo vetëm sa i përket integrimit ndërkombëtar të vendit tonë, por mbi të gjitha për avancimin e pozitës së të drejtave të njeriut, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim”- ka deklaruar Osmani.

Këshilli i Evropës i themeluar më 1949 është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyç të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Çka pritet të ndodhë në vazhdim?

Hapat se çfarë do të ndodhë tutje, i ka sqaruar Venera Kabashi, juriste në Strasburg dhe njohëse e jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Përmes një postimi në facebook, Kabashi ka thënë se pas vendimit të Komitetit të Ministrave, Byroja e Asamblesë Parlamentare (një lloj Kryesie e Kuvendit) do të emërojë 2 ekspertë për të hartuar një Raport përmbajtjesor mbi Kosovën.

“Roli i tyre do të jetë të vlerësojnë “përshtatshmërinë e sistemit ligjor të Kosovës me parimet thelbësore të Këshillit të Evropës”. Këta dy ekspertë do të jenë ose ish gjyqtarë të GJEDNJ-së ose anëtarë të Komisionit të Venecias”- ka shkruar ajo.

Hapi i dytë sipas Kabashit do të jetë caktimi i dy raportuesve nga Asambleja Parlamentare të cilët do të përgatisin raporte/opinione mbi Kosovën.

“Një Raportues do caktohet nga Komiteti për Çështje Politike dhe një Raportues nga Komiteti për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut. Raporti i të parit do të jetë ai që do të diskutohet dhe votohet nga Asambleja Parlamentare. Të dy raportet do të bëhen publike pas miratimit”- ka shkruar tutje ajo.

Tutje juristja nga Strasburgu sqaron se ‘pasi që këto analiza e raporte mbi Kosovën të përfundohen, ato do të dërgohen për diskutim e votim në seancë plenare të Asamblesë Parlamentare’.

“Do të duhen 2/3 e votave për t’i rekomanduar Komitetit të Ministrave që ta ftojë Kosovën të bëhet anëtare e KE”- ka shkruar tutje ajo.

Fjalën e fundit për anëtarësimin e Kosovës në KE, sipas Kabashit, do të thotë përsëri Komiteti i Ministrave.

“Pas përfundimit të procedurës pranë Asamblesë Parlamentare, kërkesa e Kosovës do të kthehet prapë tek Komiteti i Ministrave, organ ky që do të vendosë përfundimisht (prapë me 2/3 e votave) për pranimin e Kosovës si anëtar të KE”- ka shkruar ajo.

Sipas saj, puna e vërtetë dhe analiza përmbajtjesore e gatishmërisë së Kosovës për të qenë pjesë e KE fillon tani.

“Jemi në 20%-shin e parë të procesit – por e rëndësishme është që dera u hap”- ka shkruar Kabashi.

Kush votoi pro e kush kundër Kosovës?

Nga 46 vende, vetëm Armenia nuk mori pjesë në votim ndërsa 33 vende votuan pro, 7 votuan kundër, ndërsa abstenuan 5 vende.

Vendet që votuan kundër janë kryesisht vende që nuk e njohin as pavarësinë e Kosovës.

Azerbejgjani, Qipro, Gjeorgjia, Hungaria, Rumania, Serbia dhe Spanja votuan kundër Kosovës.

Hungaria është ne mesin e vendeve të cilat votuan kundër anëtarësimit të Kosovës, ani pse pavarësinë e Kosovës e ka njohur që nga viti 2008.

Për votën e Hungarisë kundër, reagoi ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj i cili tha se ky pozicionim krah Serbisë është për të ardhur keq.

“Është për të ardhur keq që Hungaria ka ardhur në këtë pikë sa të mbështesë politikat hegjemoniste të Beogradit në rajon. Vota e Hungarisë në KE kundër Kosovës është politikisht dhe moralisht e gabuar! A do të ketë miku im, ministri i Jashtëm, Peter Szijjarto, një shpjegim se si përfundoi kështu?”- ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Vendet që abstenuan në votimin për Kosovën ishin Bosnja, Greqia, Moldavia, Sllovakia dhe Ukraina.

Pranimi potencial në KE, çka përfitojnë qytetarët e Kosovës?