Një gyp i prishur, e lë tash e tre muaj pa rëntgen QKMF-në në Vushtrri

Në Qendren e Mjekësisë Familjare në Vushtrri që nga 31 dhjetori i vitit të kaluar, paisja e rëntgenit e cila shërben për rrezatimin e mushkërive dhe rrezatime të tjera, është jashtë funksionit, pasi i është dëmtuar një gyp. Por ndonëse kanë kaluar tre muaj, rëntgeni vazhdon ende të jetë i prishur dhe procedurat e prokurimit janë ende duke pranuar oferta.

Drejtoresha e QKMF-së në Vushtrri, Luljeta Zahiti e ka konfirmuar për KALLXO.com se rëntgeni është i prishur tash e tre muaj.

Zahiti ka thënë se arsyeja e vonesave në procedurat e prokurimit ka qenë vonesa në specifikimin e prishjes.

“Vonesa ka ndodh sepse fillimisht nuk kanë ardh me e shiku se çfarë është problemi. Kur është ardh njëri me e shiku, ai  ka tregu që është prish gypi kryesor që i mbart rrezet. E kemi bo këtë specifikim dhe kemi shku në prokurim. Veç nuk është ardh kërkush me e shiku se çfarë ka pas”, ka thënë Zahiti për KALLXO.com.

Drejtori i Shëndetësisë në Vushtrri, Bujar Pllana tha për KALLXO.com se qytetarët e Vushtrrisë të cilët kanë nevojë për paisjen e rëntgenit, do të mund ta shfrytëzojnë atë në Spitalin e qytetit në “Sheikh Zayed”.

“Jemi në dijeni se është prish, nuk ka funksionu për rëntgen të mushkërive. Por qytetarët e Vushtrrisë nuk kanë mbet pa shërbim. Pasi që Komuna me Spitalin kanë nënshkruar memorandum, ku janë dërguar dy mjek nga QKMF në spital që qytetarët t’i kryejnë atje shërbimet”, tha Pllana për KALLXO.com.

Në këtë kohë pandemie, ky ekzaminim kërkohet të bëhet në rastet kur personi i infektuar me COVID-19 ka simptoma të përkeqësimit të mushkërive dhe frymëmarrjes.

Ndërsa drejtori i prokurimit, Amir Haradinaj ka thënë se janë në fazën e pranimit të ofertave për rregullimin e pasijes së rëntgenit dhe se procedurat kanë qenë urgjente.

“Rëntgeni është në defekt dhe se nga njësia kërkuese kemi pranuar kërkesën për inicim të procedurës me qëllim të sigurimit të pjesës që është në defekt dhe montimit të saj. Jemi në fazën e pranimit të ofertave po sa të përfundoj ky afat do të përzgjidhjet operatori ekonomk i cili i plotëson kriteret e parapara ligjore”, tha Haradinaj për KALLXO.com.