Foto: KALLXO.com. Qyteti i Kamenicës

Një grua 40 vjeçare nga Kamenica dyshohet se ka vdekur pas marrjes së një injeksioni

40 vjeçarja ishte dërguar pa shenja jete në Spitalin Regjional të Gjilanit, dhe më pas siç thonë zyrtarët e Spitalit, ajo ishte rikthyer në jetë pas intervenimit emergjent dhe reanimimit nga stafi mjekësor.

Sipas ushtruesit të detyrës së Spitalit Regjional të Gjilanit, Arsim Emini, pacientja është dërguar më pas në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare, e që siç thotë ai “aty edhe ka vdekur”.

“Sot në mëngjes është raportuar ky rast në takimin që e kemi krejt doktorët, është raportuar se mbrëmë e kanë sjellë një grua e lindur me 1981 pa shenja jete. Ekipi që e kanë sjell me autoambulancë, kanë thënë që ajo e ka marrë një injeksion, sipas familjarëve, dhe ajo ka marrë diçka për grip, një antibiotik. Në spital ka ardh pa shenja jete, është reaminu diku 40 minuta. Sipas ekipit kujdestar, nuk kanë qenë shenja bindëse që ajo po kthehet në jetë. I është kthyer ritmi i zemrës dhe me atë gjendje është dërguar në QKUK. Sot prej burimeve jozyrtare kemi marrë vesh që ajo ka ndërruar jetë në QKUK”, ka deklaruar fillimisht Emini.

Porse, version tjetër jep drejtori i në Klinikës Emergjente, Naser Syla. Ai thotë se pacientja nuk ka vdekur në Klinikën Emergjente, madje shton se ajo nuk është sjellë në këtë Klinikë e as në QKUK.

“Nuk ka vdekur te na. Nuk kemi pasur rast të tillë. Ka mund të vdes në ndonjë spital tjetër, por te ne në QKUK jo”, ka thënë Syla për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar përsëri me U.D drejtorin e Spitalit të Gjilanit, i cili ka insistuar që pacientja është dërguar në QKUK nga ekipi kujdestar.

“Është e vërtetë që është dërguar në Klinikën Emergjente në QKUK, emri i saj është … dhe është e vitit 1981 nga Kamenica. Është dërguar me Autoambulancë të Spitalit të Gjilanit nga anesteziologu kujdestar. Është dërguar mbrëmë vonë dhe ekipi që e ka dërguar është kthyer pas mesnate në Spital. Pra jemi duke fol për pacienten që dyshohet se ka vdekur prej shokut anafilaktik (Anaphylactic shock) që është shok i rëndë i alergjisë. D.m.th këto janë të dhëna të sakta, pra pacientja ka shkuar në QKUK në Qendrën Emergjente. Ajo është dërguar në emergjencë dhe ka pasur mundësi që më pas të bartet në Intensivë Qendrore, ne nuk e dimë atë”, ka deklaruar Emini për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë, por të njëjtit ende nuk kanë dhënë informacione mbi rastin.

KALLXO.com gjithashtu ka tentuar të kontaktojë edhe zyrën për media të Shërbimit Spitalor, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.