Një gjysmëvjetor i lënë në gjysmë

“Planprogramet shkollore nuk arrinin të realizoheshin edhe në ato orë të shkurtuara që mbanin fëmijët, e lërë tani që do të përfundojnë më herët”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Ardiana Thaçi, nënë e tre fëmijëve, dy prej tyre nxënës në shkollë fillore.

Qeveria e Kosovës, për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, ka marrë vendim që gjysmëvjetori i parë i vitit shkollor 2020/2021 të përfundojë më 18 dhjetor dhe gjysmëvjetori i dytë të nisë më 18 janar.

Në bazë të kalendarit shkollor, mësimi në Kosovë ishte dashur të përfundojë më 24 dhjetor dhe të nisë më 8 janar.

Ardiana thotë se ata që po pësojnë më së shumti nga vendimet e tilla janë fëmijët të cilët kanë shënuar ngecje në mësimnxënie.

Ajo thotë se do të dëshironte që dy gjysmëvjetor të përsëritej, pasi e konsideron si të dështuar.

“Në fakt unë jam e pakënaqur edhe me gjithë rrugëtimin e mësimit që është bërë në këtë kohë si ai online ashtu edhe mësimin në objektet shkollore. Unë kam dy fëmijë që janë në shkollë fillore dhe në këtë kohë sa kanë mësuar online ka pasur shumë vështirësi në përdorimin e shumë platformave”, thotë ajo.

“Për 30 minuta sa ka qenë e planifikuar mbajtja e mësimit, diku dhjetë minuta kanë humbur kohë duke i ndërruar platformat dhe duke tentuar të kyçen dhe ato 20 minuta sa ka mbetur për mësim, fëmijët shumë pak kanë mundur të shprehin mendimin e tyre, ndërkohë që vlerësimi i tyre tani do të bëhet nga ky mësim i ndjekur”, shton Ardiana Thaçi.

Qeveria nuk mori mendimin e prindërve

Ymret Reshitaj nga Këshilli i Prindërve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se ky veprim i qeverisë ka shkuar në dëm të fëmijëve.

Ai thotë se nuk u konsultuan nga Qeveria e Kosovës në marrjen e këtij vendimi, pasi që siç thotë ai, Këshilli i Prindërve do ta kundërshtonte.

“Ky veprim nuk është vendim i duhur, është veprim i pakonsultuar me prindërit. Si i tillë, nuk shkon në dobi të askujt, por në dëm të nxënësve. Ne vetëm sapo kemi mbyllur një vit ku pjesa më e madhe ka qenë mësim online, që nuk i ka plotësuar kriteret dhe po ashtu ishte filluar me vonesë dhe me orar të reduktuar”, thotë ai.

Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, thotë për Radion Evropa e Lirë se ndërprerja e procesit arsimor para kohe dhe stërzgjatja e pushimit në të njëjtën kohë, sjell në një situatë ku janë orë të shumta mësimore të humbura që vështirë se mund të kompensohen në qershorin e vitit të ardhshëm.

“Dëmi më i madh është shkaktuar karshi nxënëse. Ata kanë pësuar shumë në proces të proces të mësimnxënies. Kjo do të ketë pasoja afatgjate, qoftë në performancë akademike, qoftë profesionale”, thotë Qehaja.

Të përmbyllen planprogramet mësimore

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kërkuar nga shkollat që t’i përmbyllin planprogramet e parapara për këtë gjysmëvjetor.

Kjo përmbyllje para kohe e planprogrameve shkollore, për Ymret Reshitajn nga Këshilli i Prindërve, është duke e shtuar presionin te mësimdhënësit dhe po ashtu është një presion edhe për nxënësit, që siç thotë, Reshitaj kjo mund të reflektojë në perfomancë negative.

“Nuk qëndron arsyeja se shkollat mund të ndikojë në rritjen e madhe të numrit të të infektuarve me koronavirus. Prej 830 shkollave në nivel të Kosovës, vetëm 40 janë mbyllur për shkak të rasteve dhe kanë kaluar në skenarin C, në mësimin online”, thotë ai.

Nuk mësohen të gjitha njësitë mësimore

Nga Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), e cila ka përkrahur vendimin e qeverisë për përfundimin e gjysmëvjetorit para kohës së paraparë, thonë se nuk do të mund te mësohen të gjitha njësitë mësimore.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, tha për Radion Evropa e Lirë se njësitë të cilat nuk arrihet të mësohen, do të plotësohen në gjysmëvjetorin e dytë.

“Gjysmëvjetori i parë po mbyllet më herët, por besoj që kjo është bërë për të kujtuar shëndetin e nxënësve dhe mësimdhënëse dhe për të ulur numrin e të prekurve me COVID-19. Njësitë mësimore që kanë mbetur në këtë gjysmëvjetor do të gjenden mundësi të realizohen në të ardhmen”, thotë ai.

Edhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti në ditën kur ka marrë vendimin për përfundim të parakohshëm të gjysmëvjetorit të parë të vitit shkollor 2020/2021, ka thënë se këto ditë do të kompensohen në pushimin pranveror, që i bie të jetë në muajin prill apo në qershor.

Cilësia në arsimin në Kosovë, e dobët

Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara.

Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në shtator të këtij viti, ishte theksuar se kanë ngecje të lartë në mësimnxënie.

Ky raport pati vënë në pah se një fëmijë që e fillon shkollën në moshën 4 vjeç, mund të presë që të kryejë 13.2 vjet shkollim deri në ditëlindjen e vet të 18-të.

Por, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9. Pra, sipas Bankës Botërore, ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.

Për cilësi të dobët në arsim, Kosova ishte alarmua për të dy herë me radhë edhe nga Programi për vlerësim ndërkombëtarë të nxënësve i njohur me shkurtesën ‘PISA’, në vitin 2019. Ky mekanizëm e pati radhitur Kosovën në vendin e 77 në mesin e 79 shteteve, të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi, duke e radhitur të tretën nga fundi i listës./REL