Një ekip ushtarak- mjekësor nga Italia pritet të vijë në Kosovë për ndihmë në luftën ndaj COVID-19

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një telefonatë me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio.

Haradinaj i kishte shprehur mirënjohje për kontributin e Italisë në Kosovë përmes komandës së KFOR-it.

“Zhvillova një telefonatë shumë përmbajtësore me Ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio.
Shpreha mirënjohjen time për kontributin e Italisë në shtetndërtimin e Kosovës, si partner strategjik, veçanërisht në aspektin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në vend përmes komandës së KFOR-it,” thuhet në njoftim.

Haradinaj gjithashtu theksoi edhe konfirmimin që kishte marr nga homologu i saj për ekipin ushtarak-mjekësor që pritet të vie në Kosovë në ndihmë për luftën ndaj COVID-19.

“Ministri Di Maio, më konfirmoi që do të dërgojë një ekip ushtarak-mjekësor nga Italia në ndihmë Kosovës në luftën anti-COVID-19, për këtë akt fisnik e falënderova përzemërsisht,” është shprehur Haradinaj-Stublla.

Gjatë kësaj bisede është folur edhe për liberalizimin e vizave, me ç’rast Ministrja Haradinaj – Stublla kërkoi nga homologu i saj që Italia të vazhdojë të jetë përkrahëse për të drejtën e Kosovës për lëvizjen pa viza.