Një dosje e rëndë e vrasjes kthehet në rigjykim për një pyetje

Gjykata e Apelit ka kthyer në rigjykim rastin e shtetasit nga Shqipëria, Col Imeraj, i akuzuar për veprat penale, vrasje e rëndë, vrasje në tentativë dhe lëndim i lehtë trupor.

Imeraj ishte dënuar me 27 vjet burg për të tre veprat penale.

Imeraj për vrasje të rëndë u dënua me 23 vite, për vrasje në tentativë 4 vite e 6 muaj dhe për lëndim të lehtë trupor me 6 muaj burgim, dënime këto që u unifikuan në 27 vite burgim.

“Gjykata e Apelit e Kosovës pas vlerësimit të ankesës së  mbrojtësit të akuzuarit Col Imeraj – Avokatit Meshari Selimaj dhe sipas detyrës zyrtare ka gjetur që aktgjykimi i Gjykatës Themelore Gjakovë…  është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave… Gjithashtu nga procesverbali i seancës së shqyrtimit fillestar i datës 16.04.2121 shihet se mbrojtësi i të akuzuarit e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë dhe se i akuzuari i ka përkrahur fjalët e mbrojtësit, e nga kjo rezulton se i akuzuari në pajtim të pikës 1.1 të nenit 248 të KPPRK-së nuk e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajsisë”, thuhet në vendimin e siguruar nga KALLXO.com

“Andaj, gjykata e shkallës së parë në rigjykim duhet të eliminoj të metat e cekura më lart, respketivisht i akuzuari duhet të deklarohet edhe njëherë para gjykatës lidhur me pranimin e fajësisë për tre veprat penale për të cilat është akuzuar, të konsultohet mjaftueshëm me mbrojtësin e tij lidhur me pranimin apo mos-pranimin e fajësisë, si dhe të konstatohet se a është i nevojshëm ekzaminimi mjekësor i të akuzuarit dhe pastaj të nxjerr një vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj”, vazhdon tutje vendimi i siguruar nga KALLXO.com

Në vendim thuhet se i akuzuari, Col Imeraj mbetet në paraburgim.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ali Uka, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës, Col Imeraj me dashje ka privuar nga jeta Ndue Mulaj, në shtëpinë e tij.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, thuhet se përderisa i ndjeri Ndue Mulaj 60 vjeçar ishte në dhomën e tij të gjumit, Imeraj me një thikë e çekan hekuri, hap derën e dhomës dhe e godet disa herë me thikë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, për të cilat veprime i vihet në barrë akuza e vrasjes së rëndë.

Në akuzë thuhet se në dhomën e gjumit kishte qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit Diturie Mulaj, e që ishte kushërira e tani të akuzuarit Col Imeraj, ku i njëjti kushërirën e tij e kishte goditur me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë, me çka akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Aktakuza thotë se përveç kësaj, i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër, ku prezent ka qenë djali i viktimës Mark Mulaj, duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, e duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat veprime ngarkohet me veprën e vrasjes në tentativë.

Vrasja e dhëndrit në Bardhaniq të Gjakovës, 27 vite burgim për mikun nga Shqipëria (kallxo.com)

Vrasja e dhëndrit në Bardhaniq të Gjakovës, 27 vite burgim për mikun nga Shqipëria