Një donator anonim në SHBA jep 30 milionë dollarë për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri

Një banor amerikan nga Pakistani i ka dhuruar në mënyrë anonime 30 milionë dollarë për viktimat e tërmetit që deri më tani ka lënë të vrarë mijëra njerëz në Turqi dhe Siri si dhe e ka shkatërruar infrastrukturën e të dyja vendeve.

Dashamirësia e biznesmenit pakistanez e ka shkaktuar një rast të rrallë emocionues mes numrit në rritje të vdekjeve dhe dëmeve të lidhura me fatkeqësinë.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, shkroi të shtunën në rrjetin social Twitter se është “thellësisht i prekur nga shembulli” i dhënë nga një bashkatdhetar anonim i cili hyri në ambasadën turke në kryeqytetin amerikan të Uashington DC dhe bëri dhurimin shumëmilionësh përmes të cilit mund të përfitojnë viktimat e tërmetit.

Kryeredaktori i gazetës së lajmeve politike Election Post, Mustafa Tanyeri, shkroi në Twitter se ambasadori i Turqisë në Uashington DC, Murat Mercan, e ka konfirmuar donacionin 30-milionësh në fushatën e ndihmës ndaj tërmetit të nisur në SHBA.

Donacioni nga prsoni anonim erdhi gjithashtu pasi programi botëror i ushqimit i Kombeve të Bashkuara bëri thirrje për 77 milionë dollarë për të siguruar racione për të paktën 590,000 njerëz të zhvendosur në Turqi dhe 284,000 në Siri. Sipas programit të Kombeve të Bashkuara, rreth 45,000 nga këta të prekur janë refugjatë, dhe 545,000 të tjerë janë të zhvendosur brenda Sirisë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala