Një ditë pas zjarrit në kampin e migrantëve në Bosnje

Rreth një mijë migrantë, të enjten më 24 dhjetor gjenden në ish-qendrën e pritjes “Lipa”, afër Bihaqit, në veriperëndim të Bosnjës dhe Hercegovinës. Migrantët aktualisht po qëndrojnë në një tendë që nuk është çmontuar dhe ku po u shpërndahet ushqim. Ata po qëndrojnë në një tendë, pasi kampi “Lipa” u dogj të mërkurën.

Rreth një mijë migrantë gjenden në ish-qendrën e pritjes “Lipa” në një tendë e vetmja që mbeti pasi stafi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim (IOM) u largua nga kampi në 23 dhjetor.

Migrantëve në këtë tendë të përkohshme, u është shpërndarë ushqim. Organizata Ndërkombëtare për Migrim, vendosi të mërkurën, më 23 dhjetor, të tërhiqen nga kampi “Lipa” dhe pas kësaj shpërtheu edhe zjarri.

Autoritetet njoftuan se asnjë person nuk u lëndua nga zjarri.

Policia e Kantonit, Una-Sana gjendet pranë tendës. Pavarësisht se aktualisht aty nuk gjenden përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, është paralajmëruar ardhja e Kryqit të Kuq, që pritet të sjellë edhe ushqime për migrantët.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim, për tetë muaj, kishte ofruar ndihmë për migrantët në kampin “Lipa”.

Kampi “Lipa” u hap më 21 prill dhe në të ishte planifikuar që të akomodoheshin burrat migrantë.

Më herët, Natasha Omeroviq, menaxherja e kampit, i tha Radios Evropa e Lirë se zjarri përfshiu katër çadrat në të cilat ishin vendosur migrantët.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në BeH dhe Ministria e Sigurimit të këtij shteti, më 23 dhjetor kërkoi nga kantoni e Una-Sana dhe qytetit të Bihaqit që të hapë përkohësisht qendrën e pritjes “Bira”, e cila do të strehonte migrantë nga kampi “Lipa” që u dogj.

Asambleja e kantonit Una-Sana ka refuzuar të pranojë udhëzimet e Ministrisë së Sigurimit për kthimin e migrantëve në ish-kampin “Bira”.

Bashkimi Evropian më 21 dhjetor ka thënë se është i “alarmuar” për gjendjen e migrantëve që ndodhen në Bosnje e Hercegovinë.

Në disa pjesë të Bosnje e Hercegovinës, popullata lokale kundërshton hapjen e qendrave të migrantëve.