Foto: KALLXO.com
Një ditë pas raportimit të KALLXO.com, Inspektorati ia ndal punimet kompanisë, e urdhëron ta sanojë rrugën e dëmtuar
Një ditë pas raportimit të KALLXO.com për rastin e disa familjeve në rrugën “Afërdita Ukshini” në lagjen “Veternik” në Prishtinë, të cilët ishin “bllokuar” pas dëmtimit të rrugës nga punimet e një kompanie ndërtimore, ka intervenuar Inspektorati i Komunës së Prishtinës.
Drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi, ka njoftuar se Inspektorati ka ndërprerë të gjitha punimet ndërtimore dhe ka urdhëruar të punohet vetëm në sanimin e problemit.
“Si Inspektorat kemi ndërprerë të gjitha punimet ndërtimore dhe kemi urdhëruar palën që të veprojë vetëm sa i përket sanimit të gjendjes, si dhe pala është udhëzuar të shkojë në Drejtorinë e Urbanizmit dhe të aplikojë për ndryshim të projektit sa i përket sigurisë së gropës se punës”, – ka thënë për KALLXO.com drejtori i Inspektoratit, Florian Dushi.
Lidhur me telashet e banorëve të zonës, drejtori i Inspektoratit tha se janë duke u marrë intensivisht me këtë rast dhe se punimet po vazhdojnë sipas lejes së lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit.
“Inspektorati i ndërtimit është duke u marrë intensivisht më këtë rast, punimet aty janë duke u zhvilluar sipas lejes së lëshuar nga organi kompetent. Shembja e dheut ka ardhur për shkak të punimeve që janë zhvilluar aty” – ka thënë Florian Dushi.
Ndërsa, banorët e rrugës ‘Afërdita Ukshini’ në lagjen “Veternik” të Prishtinës kanë mbetur të “bllokuar” për shkak të dëmtimit të rrugës nga punimet nga një kompani, e cila ka filluar përgatitjet për ndërtimin e ndonjë objekti banesor.
Qytetarët e kësaj lagjeje kanë mbetur pa qasje në rrugën kryesore ‘Holger Petersen’ dhe nuk kanë një rrugë tjetër alternative për të kaluar.
Gjithashtu, për shkak të këtyre punimeve banorët tregojnë edhe për problemet që kanë me furnizimin më ujë dhe për dëmtimin e gypave të kanalizimit.
“Siç po e shihni rruga u prishë, kanalizimi u prishë, uji u prishë d.m.th. të gjitha. Po na neglizhojnë shumë” – ka theksuar qytetari Bajqinofci.
Ndërsa, Abaz Kadriu, banor në këtë zonë, thotë se edhe pas shumë ankesave drejtuar institucioneve përgjegjëse për dëmet e shumta të shkaktuara nga këto punime gjoba me të cilën Inspektoratë ka dënuar kompaninë është vetëm 500 euro derisa punimet po vazhdojnë.
“Prej marrjes të lejes për ndërtim kam bo ankesa për shkak të pengesës që na bëhet ne si lagje këtu, mirëpo nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ana e Komunës ose Inspektoratit. Kam dhjetëra email dërguar rreth dëmeve që m’i kanë shkaktuar, fillimisht me rrethojë, tri herë vërshime, oborri me ujë tani po e shihni rrugën, kanalizimin, ujin nga dy-tri ditë pa ujë mbesim, ndërsa Inspektorati ma ka kthyer përgjigje e kemi dënuar 500 euro kompaninë” – thotë banori Abaz Kadriu.
Banorët i kanë bërë thirrje Komunës së Prishtinës që të ndërmarrë masa që të rregullohet ky problem pasi që kanë mbetur të bllokuar.