Ndërtesa e Ministrisë së Kulturës

Një ditë pas anulimit, Ministria e Kulturës ka rishpallur thirrjet publike për mbështetje të projekteve

Vetëm një ditë pas anulimit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka rishpallur thirrjet publike për mbështetje financiare të projekteve nga fushat që mbulohen nga kjo ministri.

Në orët e pasdites së sotme, ministria ka postuar në web-faqen e saj 6 thirrje publike për mbështetje të projekteve.

Përmes një komunikate për media, MKRS ka bërë të ditur se shpalljet e reja bëhen duke u nisur nga fakti se planifikimi i mbështetjes financiare duhet të jetë në kornizat e buxhetit vjetor të reflektuar në Ligjin Vjetor të buxhetit të Republikës së Kosovës, por edhe në linjë me prioritetet dhe objektivat strategjike të Qeverisë së Kosovës dhe të MKRS-së.

“Rishpallja e thirrjeve publike vjen edhe si hap i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për t’iu përshtatur rrethanave të krijuara nga pandemia COVID-19, dhe si vullnet për t’u solidarizuar me njëri-tjetrin por edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me organet e tjera që janë bërë pjesë e betejës për zbutjen e efekteve të shkaktuara si pasojë e pandemisë dhe krizës shëndetësore”, thuhet në komunikatën e MKRS-së.

Vendimi i dijshëm i MKRS për anulimin e thirrjeve dhe rishpallja e tyre gjatë ditës së sotme është komentuar në mënyra të ndryshme nga përfaqësues të skenës së pavarur.

Agon Ahmeti drejtor i OJQ-së ‘ETEA’ e ka përshëndetur vendimin e MKRS, pasi, siç ka thënë ai, ndryshimet në procedurën e thirrjeve publike, vlerësimit, përzgjedhjes dhe shpalljes së përfituesve të subvencioneve të MKRS-së, janë të domosdoshme.

“Duhet pasur parasysh se integriteti i procesit të ndarjes së fondeve publike ka qenë tërësisht i diskredituar në opinionin publik, dhe kjo ka ardhur kryesisht si pasojë e mostransparencës ku në të shumtën e rasteve shpallja e përfituesve është bërë vetëm me numra protokollar dhe pa u potencuar shuma përfituese, projekti përfitues, qëllimi i projektit, e kështu me radhë. Në ato pak raste kur janë publikuar emrat e organizatave, kemi vënë re se kanë përfituar organizata tërësisht të panjohura për publikun, pra që nuk iu dihet veprimtaria, nuk kanë faqe as në rrjete sociale dhe asgjë të prekshme, gjë që vë në dyshim të bazuar procesin vendimmarrës”, ka thënë drejtori i ETEA-s, Agon Ahmeti, për KALLXO.com.

Sipas tij, MKRS duhet të promovojë më shumë thirrjet publike, komisionet vlerësues të përzgjidhen në bashkëpunim me Platformën CiviKos, dhe të ndiqen modelet vlerësuese të projekteve siç bëjnë institucioneve që ndajnë fondet ndërkombëtare.

“Në fund, shpallja e përfitueseve të bëhet publike dhe të përmbajë të dhëna konkrete mbi organizatën përfituese, qëllimin e saj, qëllimin dhe rezultatet e projektit të përzgjedhur dhe shumën e përkrahjes; dhe të krijohen mekanizma monitorimi dhe procedura periodike të raportimit nga organizatat përfituese të fondeve publike. Një procedurë e tillë, padyshim se minimizon skajshëm potencialin keqpërdorues të fondeve publike dhe rrit kredibilitetin e procesit të subvencionimit. Në të kundërt, subvencionimi nga MMKRS-ja pashmangshëm do të përfundojë ngjashëm sikurse rasti i subvencioneve në Ministrinë e Bujqësisë”, ka pohuar Agon Ahmeti, drejtor i ETEA-s.

Regjisori Ben Apolloni është shprehur se ka mbetur i befasuar nga vendimi i djeshme i MKRS për anulimin e thirrjeve publike.

“Artistët, kultura, janë në gjendje të rëndë, shpresoj që ministria të mendojë dhe veprojë për mirë!”, ka thënë ai, për KALLXO.com.

Ndërsa, Ilir Muharremi, shkrimtar dhe kritik arti, ka thënë për KALLXO.com se thirrjet publike ndikojnë shumë në pasurimin e skenës kulturore.

“Rihapja e thirrjeve është një veprim me vend, pasi pa mbështetje të projekteve kulturore nga ministria, skena e kulturës mbetet e varfër”, ka thënë Muharremi.