Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Foto: Twitter

Një ditë para takimit në Bruksel, Stoltenberg takon Kurtin dhe Vuçiq

Një ditë para takimit bilateral në Bruksel, më 17 gusht, Jens Stoltenberg sekretari i NATO-s do të takoj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

NATO përmes komunikatave të lëshuara ka bërë të ditur se takimet do të jenë të ndara.

Pas takimit më Kurtin në ora 17:00 do të ketë konferencë të përbashkët.

Po atë ditë, Stoltenberg do të takoj edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq me të cilin po ashtu do të ketë konferencë të përbashkët në ora 17:30.

Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 18 gusht në Bruksel me kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell dhe të dërguarin e BE-së për dialogun mes dy vendeve, Mirosllav Lajçak.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë më 11 gusht se është skeptik sa i përket arritjes së ndonjë rezultati në rundin e ri të dialogut.

“Po shkoj në Bruksel për të biseduar, nuk shpresoj për ndonjë rezultat, por po shkoj për bisedime” – ka thënë ai për mediat në Beograd.

Palët janë ftuar në dialog pas tensioneve në veri të Kosovës, ditë më parë.

Qeveria e Kosovës pati marrë vendim për zbatim të vendimit për targat dhe dokumentet serbe nga 1 gushti.

Sipas vendimit të Qeverisë, pronarët e makinave me targa të qyteteve të Kosovës – që lëshohen nga autoritetet serbe – duhet t’i riregjistrojnë ato në RKS.

Po ashtu, të gjithë shtetasit serbë, do të duhet të pajisjen me një dokument për hyrje/dalje në pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Serbia e ka zbatuar menjëherë.

Kosova e ka zbatuar për pak orë më 1 gusht, pasi e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.

Stano: BE-ja nuk imponon zgjidhje në dialog