
Një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, Qeveria rrit pensionet për kategoritë e dala nga lufta
Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e 243-të të saj aprovoi rritjen e përfitimit dhe pensioneve për dëshmorët, invalidët, veteranët, pjesëtarët e UÇK-së, viktimave civile dhe familjeve të tyre.
“20% është rritja e përfitimit të pensioneve dhe përfitimit të këtyre kategorive të dala nga lufta.” – u shpreh kryeministri Kurti.
Ministri i Financave Hekuran Murati, në detajet që dha në mbledhje, bëri të ditur se familjet me më shumë se një dëshmor: të zhdukur, viktima civile – rritja është më e madhe.
“Do të rriten pensionet e familjarëve të dëshmorëve, ata me një dëshmor rritje prej 20%. Familjet që kanë dy apo më shumë dëshmorë, rritja do të jetë përtej 20%. Për pensione invalidore e ata me të zhdukur do të rriten prej 20%. Derisa, ata me më shumë se një të zhdukur përtej 20%.” – u shpreh Murati.
“Ngjashëm edhe për invalidët e UÇK-së, si dhe shtesa për përkujdes dhe ndihmë. Pensionet për familjet e viktimave civile me një viktimë është rritja prej 20%; me më shumë se një, rritja shkon përtej 20%. E njëjta është edhe për familjet e të zhdukurve, rritje do ketë edhe për viktimat e dhunës seksuale, pra me 20%.” – shtoi më tej Ministri i Financave.
Tutje, në mbledhjen e Qeverisë u shqyrtua Propozim-vendimi për Ndarjen e mjeteve financiare për familjen e veprimtarit të vrarë Enver Hadri.
“Propozimi në vlerë prej 100 mijë euro është për familjarët e veprimtarit të vrarë Enver Hadri, i cili u vra në Belgjikë në vitin 1990. Jemi në kontakt me familjarët, por edhe me autoritetet belge. Dy të akuzuarit janë shtetas serb se kanë kryer vrasjen, i treti i akuzuar i cili ishte pjesë e institucioneve serbe akuzohet se ka urdhëruar vrasjen e Enver Hadrit.” – deklaroi ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministri Murati deklaroi se Ministria e Financave e mbështet ndarjen e mjeteve për familjen e Enver Hadrit.
“Në këtë rast, këto mjete merren nga shpenzimet e paparashikuara dhe më pas do të bëhet ekzekutimi.” – deklaroi Murati.
Rritja e pensioneve para zgjedhjeve, “çështje votash e jo mirëqenie”