'Një ditë' - Ekspozita e FHDK për të mbijetuarit e Masakrës së 2 Majit 

Në nderim të të mbijetuarve të Masakrës së 2 Majit, Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), pritet të hapë ekspozitën “Një ditë” më 11.07.2024.

Ekspozita “Një ditë” FDHK njofton se është kuruar nga Blerta Hoçia dhe e realziaur nga FDHK.

Kjo ekspozitë pritet të hapet në Qendrën e Dokumentimit në Kosovë, në Bibliotekën “Hivzi Sulejmani” në lagjen “Dardania” të Prishtinës, të enjten më 11.07.2024 në orën 18:00.

Në njoftim theksohet se ekspozita do t’i kushtohet të mbijetuarve të Masakrës së 2 majit të vitit 1999, e cila ndodhi në fshatrat Studime e Epërme dhe Studime e Poshtme të Vushtrrisë, gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Duke ndjekur këtë koncept të mpakjes që është esenca e vetë luftës, ekspozita që i kushtohet të mbijetuarve të saj, vendos që simbolikisht ta zvogëlojë tërë kohëzgjatjen e luftës duke e rindërtuar dhe paraqitur një ditë të vetme të saj”- thuhet në njoftim.

Tutje në njoftimin e tyre thuhet se përtej maskrës së Studimes, 2 Maji përmbanë edhe të tjera dokumentime të vrasjeve, zhdukjeve e torturave në të gjithë territorin e Kosovës.

“Në labirintin që formohet duke përshkuar ekspozitën, llamarina rrjedh e valëzohet si uji i një përroi, që ndjek rrjedhën nga Studimja e Epërme në Studimen e Poshtme ku së bashku me të mbijetuarit bëhet dëshmitar i asaj dite të 2 majit të vitit 1999 që përkon me ditën e  rindërtuar në ekspozitë”- shkruhet ndër të tjera në njoftim.

Në fshatin Studime të Komunës së Vushtrrisë janë vrarë dhe masakruar 116 shqiptarë në vitin 1999.