FOTO: Thaçi, Veseli, Selimi, dhe Krasniqi në Gjykatën Speciale

Një delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë takoi ish-eprorët e UÇK-së në paraburgim në Hagë

Një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë i kryesuar nga zëvendësministri Blerim Sallahu ka vazhduar takimet zyrtare në Hagë në kuadër në vizitës zyrtare që po zhvillon atje.

MD ka njoftuar se delegacioni është takuar me personat të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe me zyrtarë të tjerë të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Disa nga temat e diskutuara gjatë takimit kanë të bëjnë me procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave.

Kryetarja e Dhomave të Specializuara Ekatarina Trendafilova si dhe regjistrja e dhomave të specializuara, Fidelma Donlon janë zotuar për lehtësimin e këtyre procedurave.

Komunikata e plotë e Ministrisë së Drejtësisë:

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë, ka vazhduar vizitën zyrtare në Hagë

Delegacioni i Ministrisë së Drejtësisë në krye me Zëvendësministrin e Drejtësisë z. Blerim Sallahu, Këshilltarin e Lartë dhe Shefin e Kabinetit z. Genc Nimoni si dhe Udhëheqësen e Divizionit për Mbrojtje Juridike dhe Mbështetje Financiare në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë znj. Pranvera Ejupi – Hajzeraj, kanë vazhduar takimet në kuadër të vizitës zyrtare në Hagë.

Gjatë ditës së djeshme dhe të sotme, delegacioni është takuar me personat të cilët po mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe me zyrtarë të tjerë të Qendrës së Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Në takim është diskutuar për funksionimin e gjithmbarshëm të rendit shtëpiak, kushtet e trajtimit të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë si dhe Ndihmën Juridike Falas ndaj tyre.

Procedurat e komplikuara për lëshimin e dokumentacionit të familjarëve – vizave, të cilët vizitojnë të afërmit e tyre në Qendrën e Paraburgimit në Hagë, shujtat javore të njëjta, problemet me porositë dhe pagesat, zvogëlimi i orarit të shëtitjes gjatë fundjavave si dhe pagesat e vështirësuara për disa nga avokatët, kanë qenë disa nga shqetësimet e tyre.

Shqetësimet e tyre janë diskutuar edhe në takim me Kryetaren e Dhomave të Specializuara znj. Ekatarina Trendafilova, Regjistren e Dhomave të Specializuara znj. Fidelma Donlon dhe zyrtarë të tjerë të dhomave të specializuara në Hagë, të cilët janë zotuar për lehtësim të procedurave për kompletimin e dokumentacionit të familjarëve dhe pajisjen e tyre me vizë për një kohë më të gjatë, si dhe trajtim të dinjitetshëm dhe sipas standardeve ndërkombëtare të personave të cilët mbahen në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.

Ministria e Drejtësisë do t’i kryejë obligimet e saj në raport me shtetasit tanë të cilët po mbahen në paraburgim.