Foto: KALLXO.com

Një delegacion i lartë qeveritar i Kosovës po merr pjesë në shënimin e përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë

Një delegacion i lartë qeveritar i Kosovës po merr pjesë në shënimin e përvjetorit të gjenocidit të kryer nga forcat serbe në Srebrenicë, në Bosnjë e Hercegovinë.

Në shënimin e 26-vjetorit të gjenocidit të kryer në Srebrenicë po marrin pjesë ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi.

KALLXO.com merr vesh se ftesa zyrtarëve qeveritarë të Kosovës u ka shkuar nga organizatori në bazë të pozitave që kanë në institucionet e Kosovës.

Kështu Mehaj, Krasniqi e Rexhepi janë zyrtarët më të lartë të shtetit të Kosovës që marrin pjesë në ceremoninë përkujtimore të Srebrenicës.

Në Bosnjë e Hercegovinë sot shënohet 26-vjetori i masakrës së Srebrenicës.

Pjesë e ceremonisë do të jetë edhe varrimi i eshtrave të 19 viktimave të masakrës, më i riu prej të cilëve ishte 16-vjeç kur u vra.

Më 11 korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës hynë në Srebrenicë, në zonën që ishte shpallur e sigurt nga OKB.

Në ditët që pasuan, ato vranë mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ndërsa nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës u njoh si gjenocid.

Deri më tani, 47 persona u dënuan me më shumë se 700 vjet burgim për masakrën në Srebrenicë.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, u dënua me burgim të përjetshëm, ashtu si edhe ish-udhëheqësi ushtarak në Bosnje, Ratko Mlladiq.

Të mërkurën, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë, me të cilën e dënoi gjenocidin në Srebrenicë.