Një delegacion i lartë amerikan e viziton Kosovën

Ambasada amerikane në Kosovë ka njoftuar se në ditët e ardhshme Kosovën do ta vizitojë një delegacion i Qeverisë amerikane i udhëhequr nga drejtori ekzekutiv i Korporatës amerikane për Financimin e Zhvillimit Ndërkombëtar, Adam Boehler.

Përveç Kosovës, ky delegacion do të ndalet edhe në Serbi, Greqi dhe Izrael.

Vizitat do të fillojnë më 20 shtator dhe do të përfundojnë më 25 shtator.

“Një delegacion i Qeverisë amerikane i udhëhequr nga shefi ekzekutiv i DFC, Adam Boehler do të udhëtojë në Athinë – Greqi; Prishtinë -Kosovë; Beograd – Serbi dhe Jerusalem – Izrael nga 20 shtatori deri më 25 shtator, për të avancuar bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane në Kosovë në rrjetin social Twitter.

Korporata Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar në ShBA nënshkroi letrat e interesit bashkë me Bankën për Eksport-Import për të nisur procedurat për ndërtimin e autostradës që do të lidhë Kosovën dhe Serbinë.

Kjo vizitë e delegacionit amerikan po realizohet dy javë pas nënshkrimit të marrëveshjes 16 pikëshe mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Washington.