Policia greke - Foto: Rtv21
Një burrë i armatosur me pushkë arrestohet jashtë parlamentit grek
Policia në Greqi ka arrestuar një 37-vjeçar që mbante një pushkë gjuetie përpara ndërtesës së parlamentit grek, pas një përplasjeje të shkurtër me anëtarët e një njësie taktike të policisë.
Një zyrtar policor nga departamenti më i madh i policisë së Athinës tha për Associated Press se incidenti i së martës para agimit zgjati pak më shumë se një orë dhe se nuk pati të lënduar.
Zyrtari policor i cili foli në kushte anonimiteti në pritje të një njoftimi zyrtar, tha se negociatorët e policisë ishin të përfshirë në incident dhe se trafiku rreth ndërtesës së parlamentit ishte ridrejtuar pak përpara se burri të kapej.
I dyshuari, i cili u ndalua për t’u marrë në pyetje, nuk u emërua në përputhje me ligjin grek dhe u identifikua vetëm si një 37-vjeçar grek. Televizioni shtetëror deklaroi se burri i lartcekur u ul në një lloj dysheku përpara një poste roje parlamenti përpara se zyrtarët e policisë së njësisë taktike të futeshin brenda.
Ky ishte incidenti i dytë i sigurisë në parlament në shtatë muajt e fundit.
Tetorin e kaluar, një 58-vjeçar u arrestua pasi voziti një kamionçinë në një trotuar përpara parlamentit. Policia pati larguar nga kamioni një bombolë gazi për ngrohje dhe një enë bosh benzine./AP