Një biznesmen aderon në NISMA, Limaj nuk komenton koalicionet parazgjedhore

Nga sot, pjesë e partisë së Fatmir Limajt do të jetë një biznesmen.

Vetë kryetari i Nismës Socialdemokrate ka prezantuar Bekim Brestovcin si anëtarin më të ri të partisë.

“Për Nismën është ditë e rëndësishme, nga sot po na bashkohet një personalitet i rëndësishëm, Drejtorin e Unionit të bizneseve në Gjermani, Bekim Brestovci. Falë angazhimit të Bekimit dhe shumw të tjerëve, Kosova është çliruar dhe pas çlirimit ai ka vazhduar aktivitetin intelektual dhe në biznes”, tha Limaj para gazetarëve.

Por, zëvendëskryeministri në dorëheqje nuk ka komentuar koalicionin ndërmjet PSD-së dhe AAK-së.

Ai tha do të ketë kohë që ta bëj një gjë të tillë në ditët në vazhdim.

“Sot për ne është një lajm i madh që t’i inkuadrojmë njerëz si Bekimi. Ky i ka mbi 1200 punëtorë në Gjermani. Vendimi i tij që të vij në atdhe, është një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për Nisën po për krejt Kosovën”, tha ai.

“Në ditët ne vazhdim do të kemi kohë t’i themi të gjitha rreth koalicioneve”, deklaroi lideri i Nismës.

Në anën tjetër, Bekim Brestovci tha se është i nderuar që sot është anëtarësuar në Nismën Socialdemokrate.

“Sot është një ditë e veçantë për mua, po nis një ditë e re për mua sepse po kyçem në politikë. Unë asnjëherë nuk rreshta se punuari për popullin. Unë kam qenë në kërkim të një formati të ri. Unioni i bizneseve gjermane ka qenë dhe do mbetet një ndër veprat me të cilat do të krenohem gjithmonë. Kyçja ime në politikë do të inicioj forma për zhvillim ekonomik. Është një nder për mua që të jem pjesë e një partie siç është Nisma Socialdemokrate”, deklaroi anëtari më i ri i Nismës Social Demokrate.

Ndryshe, sot Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate e Kosovës kanë zyrtarizuar koalicionin parazgjedhorë. Prirës i këtij koalicioni do të jetë Ramush Haradinaj ndërsa numri dy, Shpend Ahmeti.