Një armatë prokurorësh angazhohen për të ruajtur votën

Prokurori i Shtetit ka njoftuar opinionin se është duke e përcjellë me vëmendje procesin zgjedhor i cili është duke u mbajtur sot për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Përmes një komunikate për media Prokuroria ka njoftuar se që nga ora shtatë e mëngjesit e ditës së sotme, janë të angazhuar 88 prokurorë dhe staf mbështetës, të cilët janë duke përcjellë për së afërmi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë në çdo rast ku ka pengim të procesit të votimit.

“Prokurori i Shtetit, me qëllim të parandalimit të çdo parregullsie që lidhet me të drejtën e votës, fton qytetarët, mediat dhe shoqërinë civile, të bashkëpunojnë dhe raportojnë te Policia dhe Prokuroria të gjitha pretendimet për keqpërdorim të votës”, thuhet në  komunikatë.

Sot në  Kosovë  po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në gjithë territorin e Kosovës janë 888 qendra të votimit me gjithsej 2 mijë e 382 vendvotime.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare vijnë  si rezultat i vendimit të  Gjykatës Kushtetuese, e cila ka urdhëruar mbajtjen e zgjedhjeve të reja pasi ka anuluar vendimin për zgjedhjen e Qeverisë së Avdullah Hotit.