Një aeroplan në SHBA "fundoset" gjatë fluturimit, pasagjerët tmerrohen

Pasagjerët gjatë një fluturimi këtë javë u tmerruan kur avioni i tyre kishte rënë gati 9 mijë metra për një minutë, raporton CNN.

Avioni i linjes ajrore ‘Delta’ ishte duke fluturuar nga Atlanta drejt Fort Lauderdale, por u ul në mënyrë të sigurt në Tampa për masa paraprake.

Kishte “parregullsi të presionit të kabinës gjatë fluturimit”, njoftoi linja ajrore.

Pasagjerëve iu dha maska oksigjeni dhe pilotët “shpejt u ulën në një mënyrë të kontrolluar”, tha Delta për televizionin WSB.

“Ranë maskat për oksigjen. U krijua kaosi në mesin e pasagjerëve”, tregoi pasagjeri Harris Dewoskin.

“Ishte padyshim një moment i lëkundshëm, kështu që pasagjerët rreth meje morën frymë shumë rëndë,” tregon ai.

Një pasagjer u frikësua aq shumë sa filloi të përqafonte djalin e tij dhe t’i tregonte familjes së tij se i donte ata.

“Në ato 60-90 sekonda të tmerrshëm, ne nuk dinim se çfarë po ndodhte,” tha ai.

Avioni u inspektua të enjten nga teknikët e mirëmbajtje, tha linja ajrore.