Ilustrim

Një 27 vjeçar vdes në aksidentin në paragllajd në Prizren

Një burrë 27 vjeçar ka vdekur dhe një grua 23 vjeçe u lëndua pasi parashutat e tyre u përplasën gjatë kohës së aterimit në fshatin Korishë të Prizrenit.

Sipas komunikatës së Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:45, ndërsa i lënduari burrë ka vdekur në QKUK rreth orës 20:00.

“Ekipet kujdestare të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA) kanë dalë në vendin e ngjarjes bashkërisht me njësitë rajonale të Policisë së Kosovës në Prizren dhe kanë ekzaminuar provat në terren. KHAIA do të hap hetime për këtë rast dhe Raporti përfundimtar i cili do të përfshijë rekomandimet do t’i dërgohet Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e tyre.

Federata Aeronautike e Kosovës ka shprehur ngushëllime për vdekjen e pilotit nga Vushtrria, Fatos Gërxhaliu.

Ata vdekjen e tij e kanë cilësuar humbje të madhe të komunitetit aeronautik.

“Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e Fatosit, dhashtë zoti forcë të përballojnë këtë humbje të madhe dhe tragjike. Ngushëllime edhe të gjithë shokëve të Fatosit dhe komunitetit aeronautik të Kosovës”, thuhet në letër ngushëllimin e tyre.

Kujtojmë se vitin e kaluar Artan Venhari, 45 vjeçar ka vdekur në aksidentin me paragllajdë në Prizren.

Hapja e sezonit të  fluturimeve me paragllajd në Prizren ishte hapur zyrtarisht me 5 korrik të vitit të kaluar.

Haskuka kishte shkruar në Facebook se vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit, janë gërshetuar me turizmin malor përmes fluturimit me paragllajd, i cili është një produkt i ri turistik për qytetit dhe rajonin.

“Prizreni është një prej qyteteve të rralla që mundëson të fluturosh mbi të me paragllajd, dhe këtë përparësi po e shfrytëzojmë duke e shndërruar fluturimin në produkt turistik, për t’i ofruar mundësi të reja qytetarëve dhe turistëve që e adhurojnë adrenalinën”, ka shkruar Haskuka.

I pari i Prizrenit, ka falënderuar PPSE Program Sëisscontact dhe aeroklubin Shkaba, të cilët kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti.

‘Fluturo n’Prizren, në ma t’bukurin vend’, hapet sezoni i fluturimeve me paragllajd