Barakat e djegura, ku humbi jetën 13-vjeçarja. Foto: Anila Dushi

Një 13-vjeçare vdes nga zjarri në barakat e komunitetit rom në Shkodër

Një 13-vjeçare, jetime dhe e sëmurë, humbi jetën mëngjesin e të martës, pas një zjarri që ra në barakat ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit rom në lagjen “Liria” në Shkodër. Dëshmitarë të ngjarjes i thanë BIRN se vajza që kishte probleme me veshët dhe probleme mendore kishte qenë në gjumë, ndërsa flakët përfshinë barakën në të cilën ajo jetonte me gjyshen dhe tezen.

Të prekur banorë të lagjes thanë se djegia e fëmijës i kishte bërë të ndjenin më shumë braktisjen. “Barakat i bëjmë prapë, por njeriu na iku”, tha Zamir Kruja, i afërm i familjes së viktimës. Luan Bajrami, baraka e të cilit po ashtu u dogj tha se nuk kishin pasur asnjë mundësi. Ai tha se flaka kishte qenë e menjëhershme. “Dolëm shpejt. Bërtitëm. Por nuk mund të shpëtonim asgjë”, tha ai.

Policia nuk ka ende një version zyrtarë mbi shkaqet e zjarrit, por banorë të lagjes me baraka në periferi të Shkodrës thanë se zjarri mund të ishte ndezur prej ndonjë shkëndije nga soba që ndodhej në barakë. Zamir Kruja, tregoi se gjyshja e viktimës, kishte ndezur sobën dhe e ka lënë atë në gjumë ndërsa ka shkuar të mbushë ujë. Në momentin që është kthyer gjyshja ka parë flakët, ndërsa askush nuk ka pasur mundësi të ndërhyjë.

Zamir Kruja tha se vajza kishte qenë e strehuar në jetimore në Tiranë deri para dy muajsh.  “Ka qenë dhe me probleme mendore”, tha Kruja. Ai tha se transferimi ishte bërë pasi ajo kishte pasur probleme me një nga veshët dhe se familja kishte vendosur të kujdesej vetë për të.

Fotografi të bëra nga një ndërtesë që ndodhet pranë barakave tregojnë se flakët kanë qenë të menjëhershme dhe disa metra të larta. Banorët me të cilët BIRN bisedoi thanë se nuk kishte qenë e mundur të ndërhyhej. Zjarri ka djegur edhe dy-tre baraka të tjera ngjitur para se të ndërhynin zjarrfikësit.

Banorët romë të Shkodrës jetojnë prej vitesh të braktisur në këtë zonë të qytetit. Për shkak të pamundësive ekonomike banorët kryesisht përdorin soba druri dhe zjarre të ndezura jashtë për gatim dhe ngrohje dhe zjarret në barakat prej kompetsate dhe plastmasa kanë qenë të shpeshta.

13-vjeçarja është viktima e parë e flakëve, por banorët i thanë BIRN se për shkak të kushteve të mjera në të cilat ndodhen dhe gjendjes së barakave zjarret janë të pranishëm gjithmonë. Fitnete Lura tha se vetëm dy javë më parë zjarr kishte rënë edhe në barakën e saj, por ajo e kishte parë dhe i kishte hedhur ujë.

Pasigurinë e barakave e nënvizoi edhe drejtuesi i zjarrëfikëseve të Shkodrës Ridvan Bushati. “Duhet me vu dorë për këtë komunitet”, tha ai, ndërsa shpjegoi se materialet me të cilat ishin bëra barakat digjeshin shpejt. (reporter.al)