Liqeni i Badovcit - Arkiv

Niveli i ujit në liqenet e Kosovës nuk ka ngritje përkundër reshjeve të fundit

 

Gjatë këtij viti Kosova është përballur me rrezikun e mungesës së ujit si shkak i mungesës së reshjeve kryesisht në stinën e dimrit e cila është edhe faktori kyq për mbushjen e liqenve akumuluese në Kosovë.

Sokol Xhafa, drejtor teknik në kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina” sh.a., tha se edhe përkundër reshjve, niveli i ujit nëpër liqene nuk është ngritur për shkak të konsumit të vazhdueshëm.

“Niveli i ujit në të dy Liqenet që monitorojmë në (Badovc dhe Batllavë) ka rënie të vazhdueshme (nuk ka ngritje niveli), për shkak të konsumit –  niveli i ujit në Liqene ka trend të uljes, por në këtë kohë me shi, ulja e nivelit ka qenë më e ngadalshme sesa në rastet kur nuk ka shi fare, një lloj siç ka qenë edhe konsumi më i vogël, sepse uji nuk është keqpërdorur për ujitje. Niveli i ujit në Liqenin e Batllaves është: 627.15 LMD ose 7.85 metra nga kuota e kapërderdhjes ndërsa Badovci është ne lartësinë 639.4 LMD ose 10.45 metra nga kuota e kapërderdhjes”,  tha Xhafa.

Tutje Xhafa për Kallxo.com tha se kriza nuk ka kaluar ende dhe nëse vazhdon me këtë ritëm do fillohet me reduktime nga muaji Korrik të cilat do bëhen gjatë natës.

“Kriza nuk ka kaluar ende, kriza vetëm mund të shtohet, ne do të furnizojmë me ujë, por në bazë të planeve që kemi, me reduktime mund të fillojmë nga muaji Korrik, sigurisht reduktimet do të bëhen vetëm në orar të natës, atëherë kur nevoja për ujë është minimale, por edhe kur konsumi është minimal. Këto reduktime do të bëhen me të vetmin qëllim, kursimin e akumulimeve  dhe në anën tjetër sigurinë që konsumatorët tanë të kenë ujë të kontrolluar dhe në sasi të nevojshme për nevojat ditore. Sigurisht kjo do të ndodhë nëse temperaturat vazhdojnë kështu, nuk ka reshje të mjaftueshme etj”, u shpreh Xhafa.

Tutje Xhafa tha se në rast të mungesës së ujit do fillojnë me aplikimin e planit për menaxhimin e thatësirave.

“Në rast të mungesës se ujit, do filloj aplikimi i masave në harmoni me planin e menaxhimit të thatsirave, plan i cili është i hartuar nga KRU Prishtina, ndërsa i aprovuar nga Autoriteti Rregullator dhe instancat tjera të aksionarit”, u shpreh Xhafa.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.