Foto: REL/AFP

Niveli i krimit të organizuar, Kosova më mirë se vendet e rajonit

Kosova qëndron më mirë se Serbia, Bosnja e Hercegovina, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, për sa i përket nivelit të krimit të organizuar.

Kështu është bërë e ditur në raportin e fundit të publikuar nga Iniciativa Botërore Kundër Krimit të Organizuar.

Serbia është vendi i tretë në Evropë, sa i përket nivelit të krimit të organizuar, me indeks të krimit 6.21 pikë, ajo para vetës ka vetëm, Rusinë e cila ka indeks të krimit 6.24 pikë, ndërsa Turqia është e para në Evropë e cila indeksin e nivelit të krimit e ka 6.89 pikë.

Mali i zi është i 5-ti në Evropë, me 6 pikë në indeksin e krimit, pastaj Bosnja dhe Hercegovina me indeks 5.89, Shqipëria është e 10-ta me indeks të krimit 5.63, pastaj në vendin e 12-të është Maqedonia Veriore me 5.31 pikë në indeksin e krimit të organizuar, ndërsa Kosova është e 13-ta me 5.19 pikë në indeksin e krimit të organizuar.

Indeksi i Krimit të Organizuar është vegla e parë e dizajnuar për të matur nivelin e krimit të organizuar dhe qëndrueshmërinë ndaj kësaj dukurie. Kjo matje bëhet në gjitha shtetet anëtare të OKB-së, por edhe në disa vende që nuk janë pjesë e saj, si Kosova.

Renditja e pikëve të indeksit të krimit bëhet nga 1 deri në 10, ku pikët më të larta paraqesin rezultatin më të dobët.

Për të bërë këtë raport janë konsultuar 350 ekspertë nga e gjithë bota. Ndërsa mesatarja nxirret duke mbledhur të dhëna nga fusha të ndryshme të krimit si: tregjet kriminale, trafikim me njerëz, kontrabandë, trafikim me armë, krime ndaj natyrës dhe tregti me substanca narkotike.

Ndërsa në nivel botëror Kosova është renditur në vendin e 79 me 5.19 pikë në indeksin e krimit të organizuar.

Nga vendet e rajonit, më se keqi me krim të organizuar qëndron Serbia me 6.21 pikë në indeksin e krimit të organizuar duke u radhitur e 33-ta në nivel botëror edhe Mali i Zi qëndron më keq se Kosova duke u renditur në vendin e 45 pikë në indeks, pastaj Bosnja dhe Hercegovina është radhitur e 49- të në nivel botëror me indeksin e krimit 5.89 pikë.

Shqipëria është renditur në vendin e 61 në nivel botëror me 5.63 pikë në indeksin e krimit të organizuar ndërsa Maqedonia e Veriut  është renditur e 74 me indeks 5.31 pikë.

Ndërsa vendi me nivelin më të lartë të krimit të organizuar në botë, sipas këtij raporti është Republika Demokratike e Kongos me indeks 7.75, pastaj Kolumbia, Birmania, Meksika e Nigeria. Irani, Afganistani, Iraku, Republika e Afrikës Qendrore dhe Hondurasi.