Nitaj reagon pasi Bordi i përkohshëm i 'Infrakos' zgjodhi kryeshefin

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj, ka reaguar pasi Bordi i përkohshëm i drejtorëve të Ndërmarrjes “Infrakos” zgjodhi kryeshefin ekzekutiv.

Përmes një deklarate për media, Nitaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Bordi që mos t’i zhvillojnë procedurat e konkursit, por një gjë e tillë e kishte shpërfillur Bordi i përkohshëm.

“Si ministër i Ekonomisë dhe Ambientit nuk kam pranuar që të procedoj me rinominimin e bordeve të përkohshme, në kohën kur veç procesi i zgjedhjes së bordeve të rregullta është në fazën përfundimtare! Edhe për ato ndërmarrje ku ka përfunduar procesi i intervistimit dhe poentimit, siç është rasti me Bordin e Telekomit, përzgjedhjen dhe emërimin e tij ia kemi lënë Qeverisë së ardhshme”, thuhet në deklaratën e Nitajt.

Ai tutje tha se edhe bordet e Ndërmarrjeve tjera Publike do të lihen në dorën e qeverisë së re për tu emëruar, ani se janë kryer procedurat e përzgjedhjes.

“E kam vlerësuar se zgjedhja e bordeve të reja duhet të jetë në diskrecionin e Qeverisë së re. Por kjo nuk nënkupton që bordet e përkohshme që janë në ditët e fundit të tyre, mund të bëjnë përzgjedhjen e ngutshme të kryeshefave ekzekutivë të ndërmarrjeve publike, madje edhe duke shkelur rregullat e konkursit, e shpesh edhe në kundërshtim me ligjin, siç ka ndodhur me kryeshefin ekzekutiv të Infrakos-it. Pavarësisht se unë si Ministër e në cilësinë e aksionarit të Infrakos-it, me shkresë zyrtare qysh dje kam kërkuar nga bordi i Infrakos-it që ta pezullojë përzgjedhjen e kryeshefit të ri ekzekutiv, me arsyetim se në proces të përzgjedhjes nuk janë zbatuar kriteret e konkursit, ata këtë çështje e kanë bërë akt të kryer, me çka kanë bërë shkelje”, deklaroi ai.

Përveç Infrakos, edhe Posta e Kosovës është bërë me kryeshef të ri ekzekutiv. Ndaj këtyre proceseve ka reaguar dje edhe Ambasada e Britanisë në Kosovë.

Ambasada britanike e shqetësuar nga emërimet në ndërmarrje publike para formimit të institucioneve të reja

www.kallxo.com