Muharrem Nitaj - Foto: Facebook/muharrem nitaj

Nitaj për Qeverinë Kurti: Qeveri me "hu në krah"

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj e ka quajtur Qeverinë Kurti, qeveri me “hu në krah”, duke u nisur nga shkarkimet e fundit që i ka bërë kjo qeveri.

Sipas Nitajt, shkarkimet nuk duhet të jenë kolektive, për shkak se ky është vendim arbitrar.

“Nuk mund të arsyetohet vendimi për shkarkimet komplet të bordeve, sepse është e pamundur që ndonjëri prej tyre të mos e ketë kryer detyrën me përgjegjësi e profesionalizëm”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

Po ashtu, Nitaj ka thënë se Qeveria Kurti duhet të arsyetojë një për një shkarkimin e secilit.

“Opinioni publik duhet të jetë i informuar për çdo shkarkim deri në detaje, duke përfshirë edhe sekretarët e ministrive, e jo kështu si po bëhet”, ka thënë Nitaj.

Pa i bërë një muaj që kur ka marrë pushtetin, Qeveria Kurti ka shkarkuar Bordin e Telekomit të Kosovës, drejtorin e Doganave të Kosovës, ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka shkarkuar 14 konsuj, ministrja e Drejtësisë e ka anuluar konkursin e kontestuar për Noterë, ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka anuluar tenderin 110 milionë euro për autostradën e Gjilanit që është inicuar në kohën kur Kosova ka qenë pa qeveri dhe pa buxhet të miratuar, dhe së fundmi ka urdhëruar Komunën e Prishtinës që ta anulojë vendimin për kushtet ndërtimore për lagjen që ishte planifikuar të ndërtohej te liqeni i Badovcit.

Më poshtë mund të lexoni postimin e plotë të Muharrem Nitajt:

Qeveria me “hu ne krah”

Në mos asgjë tjetër, kryeministri dhe jo pak prej ministrave të tij, e dinë se nuk ka përgjegjësi kolektive dhe çdo shkarkim kolektiv është vendim arbitrar i një qeverie me “hu ne krah”!

Nuk mund të arsyetohet vendimi për shkarkimet komplet të bordeve, sepse është e pamundur që ndonjëri prej tyre të mos e ketë kryer detyrën me përgjegjësi e profesionalizëm.

Nuk e di se si janë emëruar konsujt në shërbimin diplomatik të Kosovës dhe e marr me mend se disa prej tyre, do të duhej shkarkuar me urgjencë, por qeveria duhet ta arsyetoj një për një, shkarkimin e secilit, e jo tu “mshoj fshesë”, krejt atyre që ata i shohin si krahun e kundërt politik!

Opinioni publik duhet të jetë i informuar për çdo shkarkim deri në detaje, duke përfshirë edhe sekretarët e ministrive, e jo kështu si po bëhet. 

Unë nuk e përjashtoj mundësinë që ndonjëri prej tyre mund të jetë strumbullar i korrupsionit në dikasteret e tyre, por është detyrë e qeverisë që çdo vendim ta arsyetojë deri në hollësi e jo të jepen arsyetime të përgjithësuara.

Prandaj mos u çuditni me memet e qeveritarëve me fshesë në krah!