Nitaj kërkon pezullimin e përzgjedhjes së kryeshefit të Postës

Ministri në detyrë i Ekonomisë dhe Ambientit, Muharrem Nitaj ka kërkuar pezullimin e përzgjedhjes së kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes publike “Posta e Kosovës”.

Sipas një komunikate për media të MEA-së, shkak i kërkesë së pezullimit është mos respektimi i Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku thuhet se të gjithë anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike, zgjedhën në një mandat trevjeçar, ndërkohë që Bordi ka marr vendim që kryeshefi ekzekutiv, që njëkohësisht është anëtar i Bordit të Drejtorëve, të zgjedhej në mandat pesëvjeçar.

Nitaj ka deklaruar se se Qeveria në detyrë është në përfundim të mandatit të saj dhe është më se e arsyeshme që Qeveria e re të procedojë me emërimet e reja të drejtuesve të ndërmarrjeve publike.

“Në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, e cila është aksionar në Ndërmarrjen “Posta e Kosovës”, dhe me rekomandim të Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, kam kërkuar pezullimin e përzgjedhjes së Kryeshefit Ekzekutiv të “Posta e Kosovës”. Ndër arsyet kryesore të kërkesës për pezullim ka qenë fakti se nuk është respektuar neni 15.1 i Ligjit për Ndërmarrjet Publike, ku thuhet se të gjithë anëtarët e Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjeve Publike,  zgjedhën në një mandat trevjeçar, ndërkohë që Bordi ka marr vendim që kryeshefi ekzekutiv, që njëkohësisht është anëtar i Bordit të Drejtorëve,  të zgjedhej në mandat pesëvjeçar. Arsyeja tjetër është se Qeveria në detyrë është në përfundim të mandatit të saj dhe është më se e arsyeshme që Qeveria e re të procedojë me emërimet e reja të drejtuesve të ndërmarrjeve publike”, thuhet në deklaratën e Nitajt.

KALLXO.com ka raportuar më 5 mars 2021 se Bordi i Përkohshëm i “Postës së Kosovës” në formë të kundërligjshme zgjodhi Kryeshef të ndërmarrjes Xhevdet Smakiqin, një person me të kaluar politike.

Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës, i përbërë kryesisht nga persona të afërt me LDK-në, AAK-në dhe Nisma Socialdemokrate e kanë zgjedhur kryeshef Smakiqin në një konkurs që ishte jo-transparent. BIRN përkundër që ishte duke monitoruar konkursin për kryeshef, Bordi i Përkohshëm nuk e kishte ftuar të monitorojë procesin e vlerësimit të kandidatëve për kryeshef të Postës.

Pas zgjedhjes së Smakiqit në krye të “Postës së Kosovës” kishte reaguar kandidati për kryeministër, Albin Kurti. Ai kishte kërkuar që mos të vazhdohet me procedurat e rekrutimit deri në formimin e institucioneve të reja.

Një reagim e bëri edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë lidhur me emërimet në ndërmarrjet publike ende pa u formuar institucionet