Foto: REL/Shutterstock

Nisur nga nesër qendrat e vaksinimit do punojnë çdo të shtunë

Të gjitha qendrat e vaksinimi kundër COVID-19 në vend nga nesër do të punojnë edhe në njërën nga ditët e vikendit, çdo të shtunë.

Një gjë e tillë është bërë e ditur nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, i cili tha se vaksinimi do të vazhdoj edhe ditëve të shtuna duke filluar nga nesër 21 gusht 2021.

Nga të dhënat e fundit të MSh-së, bëhet e ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 22 mijë e 245 qytetarë.

Që nga 29 marsi kur ka filluar imunizimi në nivel vendi e deri më sot janë vaksinuar 666 mijë e 476 qytetarë, prej tyre 227 mijë e 581 janë vaksinuar më dy doza të vaksinës.

Një person konsiderohet i vaksinuar në momentin që vaksinohet me dy doza të vaksinës kundër COVID-19.

Në anën tjetër, Kosova sot ka pranuar 35 mijë e 100 doza të vaksinave “Pfizer” nga Shtete e Bashkuara të Amerikës.

Numri i rasteve me COVID-19 është duke thyer rekord, vetëm brenda 24 orëve katër persona të infektuar me coronavirus kanë vdekur si dhe 2 mijë e 250 të tjerë kanë rezultuar të infektuar me SARS-CoV-2 nga 11 mijë e 814 mostra të dyshimta.

Aktualisht në Kosovë janë 16 mijë e 341 raste aktive.