Bilall Sherifi - Foto: Facebook

NISMA vendos 'vija të kuqe' për tri parti

Sekretari i Përgjithshëm i NISMA Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se kjo parti politike nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me tri partitë më të mëdha parlamentare në vend, LDK-në, PDK-në dhe Vetëvendosjen.

Sipas Sherifit, një koalicion parazgjedhor është i mundur me partinë e Ramush Haradinajt.

“Ne si NISMË, hyjmë në garë për 10+ dhe besojmë që këtë do ta arrijmë pa ndonjë problem. Të gjitha partitë na kanë ftuar për bashkëpunim, por ne do t’u përgjigjemi ndërkohë, por para zgjedhjeve nuk bëjmë koalicion me partitë që veten e quajnë të mëdha”, deklaroi Sherifi në televizionin publik RTK.

Duke komentuar deklarimet e LVV-së se është vonë 22 gushti për shpërbërje të Kuvendit, ai tha se nuk mundet që askujt t’ia shërojë halucinacionet dhe sipas tij qeveri pa zgjedhje mund të bejnë vetëm LDK dhe LVV, sepse të tjerat s’kanë vullnet për diçka të tillë. “Me NISMËN, qeveri pa zgjedhje nuk ka, atë mund të bëjnë ata që po bëjnë deklarata për çdo ditë”, tha Sherifi.

Shefi i deputetëve të Nisma Socialdemokrate tha se edhe nëse Haradinaj nuk do të jepte dorëheqjen, vendi më shumë gjasë do të shkonte të zgjedhje gjatë kësaj vjeshte.

Ai ka ritheksuar se NISMA, ka menduar t’i japë fund bashkëpunimit qeverisës me AAK-në pak muaj më parë për shkak të takimit të këshilltarëve të Haradinajt me zyrtarët e Serbisë në Berlin për të biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.