Foto: Eve-Anne Travers

Nisma 'Tregimi i fundit' sjell dhunën në familje para syve të publikut

Për të shënuar Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, një nismë e titulluar ‘Tregimi i fundit” që paraqet emrat dhe historitë e viktimave të femicidizmit (vrasjes së grave) dhe dhunës në familje, po shfaqet jashtë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës duke filluar nga dita e hënë, 25 nëntor deri ditën e mërkurë, 27 nëntor.

Kjo nismë detajon rrethanat e vdekjes së 11 grave në Kosovë gjatë viteve të fundit, numër i njëjtë ky me numrin e grave të vrara ndërmjet viteve 2017 dhe 2019, sipas raporteve të Policisë së Kosovës.

Kjo nismë është hartuar dhe implementuar nga Qendra Kosovare për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, SIT, dhe ka si synim t’i rikujtojë këto gra, ta ndërgjegjësojë publikun, si dhe zyrtarët qeveritarë dhe parlamentarë, në lidhje me parandalimin e dhunës në familje.

“Historitë e grave që vriten secilin vit, ende mbahen private, dhe gjithçka që shohim janë numra dhe statistika”, tha Mirishahe Syla, këshilltare mbi përkatësinë gjinore në Qendrën SIT. “Ne duam t’i lejojmë njerëzit të kenë më shumë lidhje me vetë gratë. Ne e quajtëm këtë nismë si “Tregimi i Fundit”, sepse kjo është me të vërtetë tregimi i fundit i këtyre grave, dhe shpresojmë se kjo do t’i bëjë njerëzit që vërtetë të bashkëndjejnë me atë se çka u ndodhi këtyre grave dhe të kuptojnë se sa serioz është problemi i dhunës në familje. ”

Mirishahja shpreson se vënia e detajeve në qendër të vëmendjes rreth vdekjes së tyre do ta ndihmojë publikun të shohë edhe përtej statistikave dhe ta rishqyrtojë natyrën e bisedave që kanë të bëjnë me dhunën në familje në Kosovë.

Foto: Eve-Anne Travers

“Dhuna në familje është çështje publike, jo çështje private”, tha ajo. “Kur flasim për dhunën në familje, ne nuk kemi prirje ta shohim atë si krim, ose e shohim atë vetëm si dhunë fizike dhe jo psikologjike. Ne e zgjodhëm këtë lokacion, në mënyrë që publiku të përfshihet dhe të shohë diçka përmes këtyre tregimeve që mund të duken të njohura për ta: të gjithë kanë familje, burra, gra, fëmijë, dhe kjo ndoshta do t’i prekë ata për së afërmi”, shtoi ajo.

Kjo Qendër ka përfshirë gjithashtu një formë të angazhimit publik si pjesë e kësaj nisme, me shpresën që deputetët e porsazgjedhur dhe përfaqësues të tjerë nga institucionet publike do ta nënshkruajnë deklaratën dhe do të angazhohen për t’i dhënë fund dhunës në familje.

Ndër nënshkruesit aktualë është edhe nëpunësja civile Albana Lumi, e cila u kërkoi institucioneve të shprehin përkushtimin e tyre për iniciativën e Qendrës SIT: “Unë mendoj se të gjitha institucionet duhet të reagojnë sa më shpejt që të munden”, tha ajo. “Ata duhet të jenë të shpejtë në përgjigjen e tyre në mënyrë që ne t’i japim fund dhunës në familje përpara se gjërat të përkeqësohen, dhe ne vazhdojmë të jemi dëshmitarë teksa gratë dhe vajzat po vriten”.

Nënshkrues të deklaratës janë edhe Avni Dehari, babai i aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, ish-Ombudspersoni Sami Kurteshi, ambasadori suedez në Kosovë, Karin Hernmarck Ahliny dhe zëvendës-Ombudspersoni, Marija Radulloviq.

Qendra SIT gjithashtu është angazhuar në përpjekjet e saja për parandalimin e dhunës duke punuar me gjimnazistë në mbarë Kosovën. “Ne i pyesim studentët – çfarë është dhuna?”, shton Mirishahja. “Në shumicën e kohës ata mund ta identifikojnë dhunën, por shumë prej tyre e kuptojnë se e kanë parë, përjetuar ose e kanë kryer atë pa e ditur në fakt se ajo është dhunë”.

Foto: Eve-Anne Travers

Sipas Mirishahes, prezantimi i bisedave të hapura dhe të sinqerta mbi dhunën te të rinjtë sa më shpejt që të jetë e mundur, është një nga mënyrat më efektive për të luftuar dhunën në familje. “Pas secilit diskutim, mund të shihni që studentët e ndiejnë vetën më të sigurt”, shpjegoi ajo. “Sapo ta kuptojnë se ajo që ata po përjetojnë nuk është në rregull dhe se dhuna nuk është normale, kjo i bën ata më të fuqishëm të luftojnë kundër dhunës dhe ta parandalojnë atë”.

Mirishahja gjithashtu vë në pah nevojën për të shpeshtuar diskutimet publike mbi këtë temë në të gjitha nivelet e shoqërisë, pjesërisht për t’u larguar nga narrativat mbizotëruese të dhunës në familje duke qenë thellësisht të lidhura me traumat e luftës. “Është më e lehtë, ose më e pranueshme, ta bëjmë dhunën seksuale një çështje publike kur flasim për të gjatë periudhës së luftës”, tha ajo. “Edhe këtu, shumë prej tyre do t’i ndërlidhin, në ndonjë mënyrë, këto histori të dhunës në familje me traumat e luftës, gjë që nuk është e vërtetë – dhuna në familje ishte një problem shumë i hershëm para se të fillonte lufta. Ne kemi nevojë që njerëzit të flasin publikisht për dhunën në familje dhe të mos e shohin këtë problem edhe më tutje si një çështje familjare”.

Nëse ndonjëherë jeni prekur në një farë mënyre nga dhuna seksuale, dhuna gjinore ose dhuna në familje, mekanizmat e ndihmës dhe raportimit mund të gjenden përmes Divizionit të Ndihmës dhe Avokatisë së Viktimave të Prokurorisë së Kosovës (0800 11 11 2) dhe linjës telefonike të Policisë së Kosovës ( 0800 1 99 99).