Foto: KALLXO.com

Nisma pjesë e Qeverisë së re? Bislimi thotë se partia e Fatmir Limajt nuk mund ta kalojë pragun

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, në një intervistë për KALLXO.com ka folur rreth mundësisë së përfshirjes në qeverisjen e re të Nismës Socialdemokrate.

Sipas Bislimit, në bazë të rinumërimeve dhe numërimit të deritanishëm, partia e Fatmir Limajt nuk mund ta kalojë pragun.

“Puna e parë që duhet me e bë është se cilave statistika u referohet ajo edhe duhet me u mësu me punu me numra edhe me presje pas numrave. Dallimi në mes 5, 5.05 dhe 5.5 është shumë i madh. Pacolli që është njëri prej partnerëve të këtij koalicioni ka deklaruar se, statistikat i nxjerrin me 5.05, Fatmir Limaj në ndërkohë ka thënë se 5.5, dallimi që po flasim është 5 mijë vota. Nisma gjatë gjithë rinumërimit është duke luftuar për 1 mijë vota, d.m.th s’ka pas logjikë sesi mundet me iu shtu 5 mijë vota, kur gjatë gjithë rinumërimit ka lëvizur 15, 18, 60 vota në tërësi”, deklaroi Bislimi.

“Në bazë të statistikave të fundit që vijnë, nga 99.37% të votave të numëruara, Nisma i ka 4.99%”, thotë shefi i shtabit zgjedhor të LVV-së, Besnik Bislimi.

Ai është shprehur i bindur se koalicioni Nisma-AKR-PD nuk mund ta kalojë pragun, ndërsa ka komentuar edhe deklarimet e të parit të LDK-së, Isa Mustafa, rreth përfshirjes në koalicionin LVV-LDK edhe të Nismës Socialdemokrate.

“Nuk e kalon (pragun), kur ta kalojnë, flasim. Isa Mustafa ka deklaruar se ai personalisht ka mendim të mirë për Nismën, por e ka thënë shumë saktë, Kushtetuta në fuqi ia jep vetëm një personi mandatin me vendos kënd e merr në Qeveri kënd nuk e merr”, tha ai gjatë intervistës.

Sipas Bislimit, mesazhi i zgjedhjeve të 6 tetorit ishte i qartë dhe ai ishte që qeverisja e re të përbehet nga LVV e LDK, ndërsa partitë tjera të jenë në opozitë.

“Ne për momentin besojmë që Nisma nuk e kalon pragun, ne mendojmë që asnjë palë zgjedhje deri më tash, votuesi nuk ka qu mesazhe më të fuqishme se në këto zgjedhje. Ne duhet me i rujt këto mesazhe. I ka dërguar mesazh si VV-së, si LDK-së, i ka dërguar mesazh të fuqishëm PDK-së i ka dërguar mesazh shumë më të fuqishëm AAK-së por edhe mbase mesazhin më të fuqishëm ia ka dërguar Nismës dhe PSD-së”, thotë Bilimi.

“Nëse ne me arrogancë vendosim mos me i ndjek sinjalet e qytetarit, atëherë është diçka tjetër, qytetari përmes këtyre votimeve mesazhin e vetëm që e ka qu, ka thënë, kjo ka qenë ish-Qeverisja të cilën unë po e dënoj dhe këtu hynë PDK, AAK, Nisma, AKR dhe PSD. Këta janë ata që qytetari nuk ka dashtë me i pa në qeverisje. Këta janë ata që unë po i mbështes dhe po i shpërblej për rezistencën që e kanë bë. Vetëvendosje- LDK. Shmangia nga këto kish me qenë shmangie nga vullneti i qytetarëve”, tha nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi.

Lëvizja Vetëvendosje doli forca e parë në zgjedhjet e 6 tetorit në një rezultat të ngushtë me LDK-në.