Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nisma për pajisjen e gazetarëve me mjete mbrojtëse mbështetet edhe nga deputetët

Një hulumtim i KALLXO.com i publikuar disa javë më parë, vuri në pah nevojën që gazetarët kanë për tu pajisur me mbrojtëse si antiplumba, helmeta apo maska kundër gazit.

Kjo më pas ngriti edhe vetëdijen e atyre të cilët punojnë në hartimin e Ligjeve të cilët thonë se çështja e pajisjeve me mjete mbrojtëse për gazetarët është e nevojshme.

Ish- drejtori i Policisë së Kosovës, tash edhe deputet në Kuvend, Rashit Qalaj në një bisedë për KALLXO.com u shpreh pozitiv se një çështje e tillë duhet të rregullohet dhe gazetarët duhet të jenë të pajisur me mbrojtëse kur raportojnë në zona të rrezikshme.

“Gjithsesi se duhet që të rregullohet çështja e pajisjeve mbrojtëse për gazetarët. Duhet që të specifikohen llojet e pajisjeve, mënyra e dhënies së lejeve për këto pajisje (kush është autoriteti që i lëshon këto leje) se si të duken ato, çfarë mbishkrimi të përmbajë, ku do i marrin këto pajisje, kush do e bëj inspektimin e këtyre pajisjeve (siç është afati i skadimit)”- tha Qalaj për KALLXO.com.

Edhe deputeti i AAK-së, Bekë Berisha i cili është edhe kryetar i komisionit për siguri për KALLXO.com thotë se do të loboj që Ligji të mundësoj pajisjen e gazetarëve me mjete mbrojtëse.

“Qëndrimi im për mu pajis gazetarët me mjete mbrojtëse është pozitiv, kur të vjen Ligji në komision do të loboj do të ndikoj që gazetarët të pajisen me ato mjete, po ashtu jam edhe për kërkesën për përdorim të sprjit për vetëmbrojtje. Jam për ta hequr burokracinë për pajisje me leje të armëve. Kam kërku këtë Ligj për me rishiku dhe do të ketë ndryshime sepse Ligji është marrë si shabllon dhe më pas ka pasur probleme dhe ankesa”- thotë Berisha.

Nevoja e pajisjes me mbrojtëse si antiplumb e helmeta është e madhe ndërsa gazetarët nuk mund të blejnë ato pasi nuk e kanë të drejtën që të jenë përdoruesit e fundit të pajisjeve të tilla që shiten me leje speciale.

Protestat e dhunshme, incidentet e sulmet ndaj gazetarëve janë raste jo të rralla që po ndodhin në rajon.

Rastet e fundit në veri dhe tensioneve të krijuara në atë zonë kanë bërë që shpesh herë edhe gazetarët të jenë të rrezikuar që të sulmohen fizikisht deri sa janë në kryerje të detyrës së tyre.

Ministria e Punëve të Brendshme është aktualisht duke punuar në draftin e ri të Ligjit për Armët.

Në këtë Ligj parashihet që të rregullohet edhe çështja e pajisjeve mbrojtëse për gazetarët në Kosovë.

Drejtori për Siguri Publike në MPB, Mensur Hoti në një deklaratë për KALLXO.com, për këtë çështje kishte thënë se kishin nisur diskutimet që me amandamentimin e Ligjit të krijojnë hapësirën që gazetarët të pajisen me mjete mbrojtëse.

“E mirëkuptojmë edhe shqetësimin edhe kërkesën. Çka mund të ju them është se periudha është adekuate të diskutohet tani pasi kemi një proces të ndryshimit të Ligjit për Armë dhe është një procedurë e konvenueshme të diskutohet kjo çështje. Kjo mbetet të diskutohet tutje për kërkesën si paraqitet, grupi punues dhe mekanizma tjerë çka mund të sjellë ky proces” – kishte thënë Hoti.

Rastet e shpeshta dhe të shumta të sulmeve ndaj gazetarëve tregojnë domosdonë që gazetarët të pajisen me mjete mbrojtëse, duke pasur parasysh rrezikshmërinë me të cilën po përballen gjatë raportimit.

Shtuar këtu që të dhënat nga raportet që i posedon AGK-ja, Kosova është një ndër shtetet në Ballkan me rrezikshmëri të lartë për raportim.

Ky publikim është bërë i mundur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe jo domosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Evropian.