FOTO: KALLXO.com

NISMA paralajmëron ankesë për votat ardhura nga Serbia

Sot, Komisioni Qendror Zgjedhor shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit.

Rezultatet e prezantuara nga kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, lanë jashtë Kuvendit të Kosovës koalicionin NISMA-AKR-PD.

Për këtë, në një konferencë për media partia e Fatmir Limajt paralajmëroi ankesë ndaj votave të ardhura nga Serbia.

Madje, Endrit Shala nga kjo parti akuzoi KQZ-në për fabrikim të rezultateve përfundimtare.

“Sot KQZ nuk shpalli rezultatin sipas rregullave dhe ligjeve, në fakt KQZ sot shpalli rezultat të fabrikuar dhe prodhuar nga ajo vetë duke i numëruar si vota pakot me zarfa të cilat janë grumbulluar diku në Serbi, pako e zarfe të cilat nuk dihet se ku e kanë identitetin e tyre apo origjinën”, deklaroi Shala para gazetareve.

Ai tha se pakot me fletëvotime të ardhura nga shteti serb u bë në formë joligjore.

“Pako të grumbulluara në një vend privat nga persona të pa autorizuara dhe në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi. Ato u sollën në Kosovë nga persona të paautorizuara. Ato pako u kontrabanduan nga KQZ në QNR duke i futur kështu në mënyrë të paligjshme në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe me këtë, KQZ sot prezantoi e prodhoi rezultat të fabrikuar dhe me vota të paligjshme”, thotë Shala, ministër në detyrë në Qeverinë e Ramush Haradinajt.

Tutje, ai tha se nga votat e rregullta partia e tij ka marr votat e mjaftueshme për të hyrë në Kuvendin e Kosovës.

“Nga votat e rregullta, Nisma është me mbi 5 përqind. Do t’i shfrytëzojmë instancat për ankimim të gjitha instancat në ligjet e Kosovës. Presim nga institucionet që të marrin vendim duke u bazuar në ligje”, tha ai.

Në fund, ai prezantoi edhe disa dosje, në të cilat, siç tha ai janë të grumbulluara faktet të cilat do t’i dorëzojnë në institucione si ankesë.

“Këto janë pakot me dokumentacion dhe prova që Nisma do t’i qoj ankesën në institucionet që janë të parapara. Sot to ta dërgojmë”, tha në fund të konferencës, Endrit Shala.

KALLXO.com raportoi për rezultatet përfundimtare që sot prezantoi KQZ në një konferencë të drejtpërdrejtë.

Hisja e partive në legjislaturën e 7-të

www.kallxo.com