Nisma numëron 'të metat' e mësimit online

Nisma Socialdemokrate vlerëson se në bazë të disa materialeve të cilat janë transmetuar në adresë të nxënësve përmes televizionit publik, kanë vërejtur disa parregullsi që sipas tyre vazhdojnë ta dëmtojnë gjithë procesin e mësimit në distancë.

Anëtari i kryesisë së NISMA-s, Fehmi Hysenaj, ka përmedur disa të meta të mësimit online.

“Mungesa e harmonizimit e këtyre materialeve me planprogramet mësimore, si pasojë e mungesës së mbikëqyrjes së duhur të këtyre materialeve, kohë pas kohe janë lëshuar edhe gabime, disa materiale që janë transmetuar kanë qenë jashtë përmbajtjes së teksteve shkollore, mungesa e transmetimit të materialeve për disa lëndë, mungesa e një mekanizmi të mirëfilltë për përcjelljen e progresit të nxënësve, udhëzuesi që është përgatitur nga MAShTI, nuk duhej të ishte aq i komplikuar, por sa më i thjeshtë dhe i lehtë për t`u praktikuar, në mënyrë që të sigurohet arritja e kompetencave të nxënësve sipas Kornizës së Kurrikulit të Kosovës”, tha Hysenaj.

Ai ka përmendur edhe maturën shtetërore, duke thënë se Nisma Socialdemokrate e kupton shqetësimin e maturantëve dhe stresin që ata kanë në lidhje me këtë test që u mundëson regjistrimin në Institucionet e Arsimit të Lartë.

“Maturantët nuk kanë qenë aspak të informuar në lidhje me këtë proces. Për Nismën është i papranueshëm ndryshimi i anëtarëve profesionistë të Komisionit Shtetëror të Maturës, që ndodhi kohë më parë, sepse puna e atij komisioni ishte vlerësuar nga të gjithë akterët relevantë”, theksoi Hysenaj.

Ai ka paraqitur edhe disa propozime konkrete që lidhen me Maturën Shtetërore duke thënë se testi i maturës shtetërore të mbahet më 1 korrik 2020, nëse situata me pandeminë nuk përkeqësohet, qendrat e testimit të kenë më së shumti 80-100 nxënës, në një klasë mos të ketë më shumë se 12 nxënës dhe t’i kenë të gjithë pajisjet mbrojtëse dhe të kenë distancë mes vete konform sugjerimeve të IKSHP. Sipas tij 15 ditë para testit, maturantët për efekt psikologjik dhe social t’i vizitojnë shkollat dhe të obligohen mësimdhënësit që të ofrojnë programe mbështetëse mësimi enkas për maturën.

Gjithashu Hysenaj tha se në Televizionin Publik të transmetohen orë mësimi për maturën shtetërore duke filluar nga java e fundit e majit dhe të zgjedhen profesorët më eminentë, ky mësim do të mjaftonte për lëndët obligative sipas ligjit: Gjuhë amtare, Gjuhë angleze dhe Matematikë si dhe testi të ketë së paku 120 kërkesa.