Mytaher Haskuka - Foto: KALLXO.com

NISMA largohet nga koalicioni, drejtorët mbesin me Haskukën

Një ditë pas shkarkimit të drejtorit të Arsimit të Komunës së Prizrenit, Gani Gërmizajt, nga kryetari Mytaher Haskuka, Nisma Socialdemokrate, të cilës i përkiste drejtori, ka njoftuar për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Tani, Vetëvendosje mbetet në koalicion vetëm me LDK-në dhe partnerët nga partitë minoritare.

Drejtori i shkarkuar: Nuk kam rënë pre e kërkesave të jashtëligjshme të Mytaher Haskukës

Mirëpo, largimi nga koalicioni nuk i ka bindur dy drejtorët e tjerë që vijnë nga Nisma që të largohen nga qeverisja e Haskukës.

Osman Hajdari, drejtor i Administratës dhe Ehat Oreshka, drejtor për Kulturë, Rini dhe Sport, janë dy drejtorët që vijnë nga Nisma por të njëjtit do të vazhdojnë të ushtrojnë këtë detyrë pavarësisht prishjes së koalicionit nga subjekti që i takojnë.

Osman Hajdari për KALLXO.com ka konfirmuar që bashkë me drejtorin Ehat Oreshka do të vazhdojnë të ushtrojnë detyrat në qeverisjen komunale.

Drejtori Osman Hajdari tha se për arsye të projekteve kapitale në Drejtorinë e Administratës që janë duke u zhvilluar, kryetari Haskuka i ka kërkuar që të vazhdojë të qëndrojë në krye të kësaj Drejtorie.

“Kemi vendosur mbi këtë bazë, pra për arsye që të mos krijohen pengesa në zhvillimin e projekteve që janë në punë“, tha Hajdari.

Nisma Socialdemokrate ka reaguar përmes një postimi në faqen në Facebook, duke i quajtur ”hipokrizi” veprimet e Osman Hajdarit dhe Ehat Oreshkës.

“Hipokrizia e Osman Hajdarit dhe Ehat Oreshkës se do të vazhdojnë angazhimet e tyre për shkak të gjoja disa projekteve, në qeverisjen e infantilit politik, tregon adoleshencën e radhës dhe nuk është në përputhje me përcaktimin tonë politik, që ne dhe e keqja ti kenë rrugët e ndara“, ka shkruar Nisma Socialdemokrate në Facebook.

Ky reagim i Nismës nuk i ka bërë përshtypje shumë drejtorit Osman Hajdari.

“Nuk e kam pa të gjithë reagimin, po sa jam njoftuar në një formë ne jemi largu nga partia, por ne do të vazhdojmë punën tonë profesionale si drejtorë“, tha Hajdari.

KALLXO.com ka publikuar historinë se si ka ardhur deri te ndarja e koalicionit në Prizren, si shkak i problemeve me Drejtorinë e Arsimit.

Drejtorët e ‘parehatshëm’ të Arsimit prishin koalicionin VV – NISMA në Prizren

Sot kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka njoftuar për emërimin e drejtoreshës së re të Arsimit.

“Si  një figurë apartiake dhe fakti që emri saj nuk ndërlidhet me asnjë parti politike, jep një mesazh të qartë dhe tregon vendosmërinë tonë për depolitizimin e sistemit arsimor”, ka shkruar Haskuka në Facebook.

Pas shkarkimit të drejtorit, Haskuka gjen drejtoren e re të Arsimit në Prizren

www.kallxo.com