
Bilall Sherifi - Foto: Atdhe Mulla
NISMA kërkon sërish rinumërim të votave të të gjitha vendvotimeve
Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka mirëpritur vendimin e Komisionit Qendror i Zgjedhjeve për rinumërimin e votave në 303 vendvotime.
Ai po ashtu ka thënë se ky vendim është i mirë, por i përgjysmuar sepse, sipas tij, duhet të bëhet rinumërimi i të gjitha kutive për shkak të gabimeve të mundshme në formularë.
“KQZ mori vendim ashtu siç kemi kërkuar ne edhe pse PZAP e ka refuzuar këtë gjë, KQZ ka pranuar gabimin, të cilat kanë prodhuar gabime në bartjen e të dhënave. Ne nuk kemi përfaqësues në KQZ por e kemi ngritur shqetësimin përmes konferencave. Ne nuk jemi duke e kundërshtuar daljen e qytetarëve në zgjedhje, por problemet kanë filluar në momentin kur votat kanë hyrë në kuti. Në formularë është krijuar një kaos i vërtetë përmes gabimeve dhe po ashtu ka krijuar shtrembërim të rezultateve. Ne mendojmë dhe jemi të bindur që jo vetëm 303 formularë kanë gabime, por të gjitha formularët kanë gabime e që i bie që të gjitha kutitë të shkojnë në rinumërim”, ka thënë Sherifi.
Rezultatet e deritanishme tregojnë që koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-PD nuk ka arritur pragun prej 5 për qind sa kërkohet për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, ky koalicion ka marrë 39 mijë e 495 vota apo 4.96%.
Numërimi i votave të rregullta ka përfunduar, mirëpo ende të panumëruara janë votat e diasporës të cilat janë mbi 30 mijë.