NISMA i merr meritat Ramush Haradinajt: Taksën e propozoi Endrit Shala

Kandidatja e koalicionit Nisma Socialdemokrate, Arbëreshë Krasniqi në #debatpërnime ka deklaruar se tarifa prej 100% është propozuar nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Ajo ka deklaruar se tarifa do të largohet, vetëm atëherë kur Serbia të reflektojw karshi Kosovës.

“Nisma ka tregu besnikëri që ka të bëjnë me shtetin, me vendin dhe tarifa ka ardhë si pasojë e propozimit të ministrit të Nismës. Politikat e Nismës janë shumë të pjekura dhe janë saktë me arsyetime të plotë. Unë dua të them se tarifa duhet të hiqet vetëm atëherë kur të pushojnë arsyet e vendosjes së saj. Ky është qëndrimi i Nismës”, tha Krasniqi.

“Arsyet pushojnë atëherë kur Serbia dhe Bosnja reflekton karshi Kosovës”, tha Krasniqi.

Qeveria e Kosovës vendosi taksë 100% ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina si reagim ndaj lobimit të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar vazhdimisht suspendimin e kësaj mase për t’i lënë rrugë vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet qeverisëse.

Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.