Nisma: Do ta dërgojmë Thaçin në Kushtetuese nëse s’e emëron anëtarin tonë në KQZ

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi tha sot se presidenti i vendit, Hashim Thaçi nuk e ka ftuar anëtarin e propozuar të kësaj partie për në KQZ.

Sherifi tha se Thaçi e ka për detyrë që ta dërgojë me shkrim nëse e ka refuzuar anëtarin e Nismës.

“Ne kemi pritur që konform shkresave zyrtare për të kandiduar një anëtar, ne kemi pritur që presidenti të ftojë një kandidat nga NISMA. Ne nuk kemi marrë shkresë që ka anuluar dhe tani presim që ashtu siç ka dërguar shkresat, brenda afatit të caktuar, para se të bëjë emërimin e anëtarëve të rinj, të dekretojë edhe anëtarin e NISMA-s apo të na lajmërojë se ka heqë dorë për të emëruar nga një anëtar të çdo grupi parlamentar”, ka theksuar Sherifi.

Ai ka kërkuar nga presidenti që të dijë se kujt i është dërguar ftesa për anëtar të KQZ-së, duke thënë se koalicioni PAN është i ndarë në Kuvend.

“Nuk kemi njohuri presim që të sqarojë presidenti se kush është PAN. Nëse ai mendon që PAN është PDK, atëherë i them që PAN nuk është as PDK, as AAK e as NISMA. Ne se dimë kush është PAN, kërkojmë sqarim nga ana e tij”, tha Sherifi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës tha se nëse presidenti nuk e emëron kandidatin e NISMA-s, kjo parti do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Partitë që kanë përbërë PAN nuk janë marrë vesh se kush do të jetë kandidati i tyre, ta zëmë se e pranojmë formulën 2-2-2, por PAN nuk ka folur kush janë personat që do të përfaqësojnë PAN. Ftesa e dërguar PDK-së s’mund të shndërrohet në ftesë e dërguar PAN-it. Nëse një kandidat, secilin që ka dërguar PDK, presidenti e dekreton si anëtar të PAN, atëherë ai po bën shkelje. Ne do ta dërgojmë në kushtetuese”, ka thënë ndër tjerash Sherifi.

Ndërsa, pas kërkesës së ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka vendosur ta bëjë emërimin e anëtarëve të KQZ-së, pasi ai e ka vonuar emërimin e tyre për një vit.

 

https://kallxo.com/bllokimi-i-kqz-se-thaci-thote-se-kete-jave-do-te-emerohen-anetaret-e-kqz-se/

.