Nisma-AKR don profilizimin e universiteteve

Profilizimi i universiteteve publike dhe shkollimi profesional janë prezantuar si pjesë e programit të Nisma-AKR-PD.

Fatmir Limaj me ekip në DebatPernime po e prezanton programin dhe po përballet me pyetjet e ekspertëve.

Albulena Balaj-Halimi, kandidate për deputete tha se do të investojnë në çerdhe dhe shkolla profesionale.

“Ndërtimi i çerdheve, investimi në to, ka edhe shkolla me hapësira të lira që mund të shfrytëzohen për këtë qëllim. Shkollat profesionale janë të rëndësishme, do të hulumtojmë tregun e punës dhe në bazën e saj hapen departamente të reja në shkolla”, tha Balaj-Halimi.

Ajo tha se universitetet publike nuk duhet të ofrojnë programet e njëjta me njëra tjetrën.

“Duhet të bëhet profilizimi i universitetit dhe jo të gjithë të kenë programet e njëjta”, tha ajo.

Cikli i DebatPernime i moderuar nga Jeta Xharra do të mbahen për dhjetë ditë rresht sa do të zgjasë zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 6 tetor.

Kandidatët për kryeministër si dhe kandidatët për deputetë nga partitë, të cilat janë në garë do të ballafaqohen para Jeta Xharrës ku edhe do të shpalosen programet e tyre qeverisëse. Të ftuar në debat janë: Fatmir Limaj– NISMA, Skender Reçica – NISMA, Bekim Brestovci – NISMA, Valdete Bajrami – NISMA, Arbëreshë Krasniqi – NISMA, Agim Çaka – NISMA, Albulena Balaj Halimaj – NISMA, Vesel Krasniqi – NISMA, Aferdita Gjonbalaj – NISMA, Fehmi Hysenaj – NISMA si dhe Fatmir Matoshi – AKR. Debat Pernime do të fillojë çdo ditë nga ora 20:30 në Televizionin 21 dhe live në Facebook të KALLXO.com.