Nisin punimet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës

Sot më 28 nëntor – në Ditën e Flamurit kanë nisur punimet për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës në Shqipëri.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se Aeroportin e Vlorës do e marrë në menaxhim Aeroporti i Mynihut sapo të ndërtohet.

“Është fantastike që aeroporti i Mynihut vjen në Vlorë e cila garanton jo vetëm një menaxhim të nivelit më të lartë por dhe atë sinergjinë me struktura të tjera. Se aeroportet janë si klane familjare sepse nuk mjafton të bësh një infrastrukturë të bukur, por duhet edhe të kesh aleanca që të menaxhosh një numër të madh pasagjerësh. Ky aeroport bëhet porta e tretë, ndër 4 nga qielli që ne duam të hapim, se e 4 është aeroporti sezonal i Sarandës, që do funksionojë në mbështetje të sezonit të pikut”, tha Rama.

Në këtë ceremoni për fillimin e punimeve mori pjesë edhe lideri i Aleancës Kosovë e Re (AKR), Behgjet Pacolli.

Pacolli teksa shprehu madhështinë e këtij projekti, tha edhe disa fjalë të mëdha edhe për mikun e tij – kryeministrin Edi Rama.

“Jam i lumtur që jam aktori kryesor i kësaj vepre, se kjo ndodh në vendin tim. unë 20 vitet e fundit nuk kam munguar asnjëherë në eventet e pavarësisë në Vlorë për të festuar. Jam i lumtur që këtu jam para kryeministrit të cilin unë jashtëzakonisht e preferoj, me energji të paparë, me dashuri për të ndërruar Shqipërinë. Kryeministër ju ia keni dalë, ju përgëzoj, edhe e them me modesti edhe ne kemi të drejtë të kemi një jetë më të mirë për fëmijët tanë, qoftë i mbarë fillimi, dhe ju garantoj se shumë shpejt do të avancojmë dhe ky do jetë aeroporti më i bukur dhe më funksional”, tha Pacolli.

Ky aeroport pritet të jetë gati për fluturime në vitin 2025.