Nisin punimet në rregullimin e kanalizimit dhe shtratit të lumit në Dobërçan

Sot kanë filluar punimet në realizimin e projektit të rregullimit të kanalizimit dhe shtratit të lumit në Dobërçan të Gjilanit.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një komunikate për media.

Sipas njoftimit, ministri në detyrë i MMPH-së, Fatmir Matoshi, shprehet i lumtur që po investohet në këtë fshat, pasi që sipas tij është shembull i aktivizimit qytetar për mbrojtjen e mjedisit.

Ai deklaroi se ky projekt zgjidh problemin e ujërave të  zeza për banorët e kësaj ane.

“Besoj dhe shpresoj që  projekti do të realizohet ashtu siç është  e paraparë dhe projektuar me një mbikqyrje në radhë të parë  të  vetë banorëve, të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidromorava”, nga komuna e Gjilanit si dhe nga Ministria  e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, shprehet Matoshi.

Ky projekt financohet nga MMPH dhe kap vlerën totale prej 550 mijë euro.