Teatri i Qytetit të Gjilanit. Foto: TQGJ

Nisin provat për premierën e re në Teatrit e Qytetit në Gjilan

Teatri i Qytetit të Gjilanit ka nisur provat për premierën e re, “Kosovo for dummies“ e me regji të Blerta Rrustemi- Neziraj.

Komedia „Kosovo for dummies“ me tekst të Jeton Nezirajt, rrëfen historinë e Antigonës nga Kosova, e cila për të fituar lejeqëndrimin në Zvicër, duhet të dëshmoj që nuk është një rinoqeront.

“Megjithatë, t’u themi që në fillim: në shfaqje nuk do të derdhet as një pikë gjaku, sado që ngjarjet që ajo i shtjellon janë mjaft dramatike. Madje-madje, nuk do të eksplodojë as edhe ndonjë bombë, pavarësisht se njëri nga personazhet e shfaqjes është mysliman dhe kjo mund të paragjykohet nga dikush. Drama ka fund të lumtur”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.

Po, sipas njoftimit të këtij teatri, kjo shfaqje  do të hapë edicionin e ardhshëm të Festivalit të Dramës Origjinale Shqipe, duke përfaqësuar kështu Teatrin e Qytetit të Gjilanit në këtë festival.

Në shfaqje do të luajnë: Aurita Agushi, Tringa Hasani, Avni Shkodra, Kushtrim Qerimi, Gani Rrahmani, Safete Mustafa dhe Ernest Zymberi.