Nisin masat e reja të qeverisë pas shpërthimit të COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka rinjoftuar qytetarët se sot hyjnë në fuqi amsat e reja të vendosura nga Qeveria e Kosovës.

“Nga sot, në orën 18:00, janë në fuqi masat e reja të Qeverisë së Kosovës lidhur me Covid-19. Lëvizja e qytetarëve, është e përcaktuar sipas numrit të të infektuarve në 7 ditët e fundit në 100.000 banorë dhe masat janë të marra sipas kategorizimeve me zona”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Ministria ka rinjoftuar se në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë, me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë 9 komuna si: Komuna e Prishtinës, Fushë -Kosovës, Gjilanit, Obiliqit, Gjakovës, Shtimes, Podujevës dhe Pejës dhe Ferizaj.

“Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm me 76 deri me 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat (19) në vijim: Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Vushtrria, Leposavic, Deçan, Klinë, Drenas, Prizren, Hani i Elezit, Suhareka, Lipjani, Graçanica, Novobërda, Kamenica, Ranillugu, Parteshi, Vitia dhe Kaqaniku dhe Kllokoti”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Ndërsa, në zonën e gjelbërt bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët, me 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës dhe janë komunat si në vijim:Malisheva, Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Rahoveci, Juniku, Skenderaj, Istogu, Zubin Potoku dhe Zveçani.

“Të nderuar qytetarë, pa ndihmën dhe përkrahjen tuaj, nuk mund të arrijmë sukses, pengimi i virusit është prioritet, prandaj, të bëhemi bashkë për ta fituar këtë luftë nga një armik i përbashkët.Bashkëpunimi, mirëkuptimi, besimi, durimi, guximi dhe solidariteti, janë të tepër të domosdoshëm për të gjithë neve”, thuhet në njoftim.