Nisin hetimet për vdekjen e të miturës nga Drenasi

Prokuroria e Prishtinës ka filluar hetimet për vdekjen e 15 vjeçares në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Pesëmbëdhjetëvjeçarja nga Drenasi vdiq tre ditë më parë në QKUK.

Vdekja e saj po konsiderohet e dyshimtë dhe në lidhje me të Prokuroria e Prishtinës ka filluar që të ndërmarrë veprimet hetimore për zbardhjen e rastit.

Prokuroria është duke hetuar për trajtimi të pandërgjegjshëm mjekësor.

“Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë filluar hetimet paraprake hetimore lidhur me zbardhjen e këtij rasti, në drejtim të veprës penale “Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, nga neni 254 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Dje gjatë ditës hetimet kanë filluar edhe në Shërbimin Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës.

Hetimet filluan pasi familja e 15 vjeçares përmes mediave e ka akuzuar QKUK-në për mosmarrjen e hapave të duhur në raport me shëndetin e fëmijës së tyre.

Për trajtimin e këtij rasti ShSKUK ka formuar një komision në përbërje prej tri klinikave.

Pas vdekjes së të miturës, QKUK ka njoftuar se kanë bëre përpjekje maksimale për ta shpëtuar mirëpo si pasojë e gjendjes së rëndë e njëjta ka vdekur.