Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nisin hetimet për importin e blloqeve që importohen nga Serbia

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka marrë vendim që të nisin hetimet zyrtarisht për importin e blloqeve standard me dimensione 19x19x25 të importuar nga Serbia.

Këtë e bëri të ditur vetë ministrja Rozeta Hajdari përmes një konference për media.

Në vendim janë përmendur edhe disa prej arsyeve.

“Të gjeturat e analizës preliminare të kryera nga Departamenti i Tregtisë si pjesë e rivlerësimit të bërë para skadimit të masës mbrojtëse antidamping prej 0.02 euro për blloqet standard 19x19x25 dhe analizës aktuale tregojnë se ka elemente se importi i këtyre produkteve nga Serbia po vazhdon të shkaktoj dëme materiale përmes çmimeve dumping ndaj industrisë së prodhuesve vendor të materialit ndërtimor nga argjila”, thuhet në vendim.

Siç thuhet tutje në vendim, importi i blloqeve nga Serbia në Kosovë po vazhdon të shitet me çmime më të ulëta se çmimi i tyre në tregun e brendshëm të Serbisë dhe kjo, është vlerësuar se kjo përbën rrezik për prodhimin vendor.

Të martën, para mediave për këtë foli edhe ministrja, Rozeta Hajdari.

“Ne kemi bërë largimin e masës që në një afat të shkurtër prodhuesit vendor të materialit të paraqesin kërkesat e tyre. Unë dje e kam marrë vendimin për nisjen e hetimeve. Pas hapjes së hetimit, gjatë kësaj kohë nuk duhet të pengohen procedura, sipas ligjit: prodhuesit vendor dhe eksportues duhet të paraqesin pretendimet e tyre në një periudhë prej 45 ditësh; qeveria e vendit eksportues nuk duhet të kundërshtoj vendimin”, tha ajo.

Dokument – Vendimet e MTI-së para shfuqizimit të taksës për bllokat e importuar nga Serbia