Nisin hetimet për dy policët që e dënuan një qytatar me ligj të Serbisë brenda territorit të Kosovës

Dy zyrtarë policor të Novobërdës janë suspenduar gjatë ditës se sotme pasi që të njëjtit kishin dënuar një qytetar, ndërsa në fletëparaqitje kishin shkruar se i njëjti kishte shkelur ligjin e Serbisë për masat anti-COVID-19.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se të njëjtit do të hetohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Zyrtarët policor nga SP-Novobërdë do të hetohen nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së, dhënë për KALLXO.com.

Tutje IPK, ka thënë për KALLXO.com se do të kërkohet edhe vazhdimi i suspendimit për shkak të hetimit.

“Zyrtarët policor patrullues nga Stacioni Policor Novobërdë janë suspenduar për 72 orë në bazë të kërkesës së IPK-së drejtuar Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan, në bazë të kërkesës urgjente, më pas për interes të hetimit do të bëhet rekomandimi për vazhdim të suspendimit”, ka thënë IPK për KALLXO.com.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme në lidhje me rastin.

IPK në përgjigjen për KALLXO.com ka treguar se cilat ishin veprimet e zyrtarëve policor karshi qytetarit që kishin dënuar duke u bazuar në ligjet e Serbisë.

“Qytetari është dënuar në bazë të ligjit 07/L-006 “Për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë Covid-19 në Territorin e Republikës së Kosovës”, neni 24, paragrafi 5. Por në Përshkrim të kundërvajtjes është ceke se, qytetari nuk ka respektuar ligjin e Serbisë për COVID-19”, ka sqaruar IPK.